Lajçak pas takimit me Kurtin: U përmbushën pritjet e mia
B. Halimi / RTKlive
(E plotësuar) Konstruktive dhe shumë të dobishme e ka vlerësuar vizitën e sotme në Kosovë, përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ai pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka folur para gazetarëve, teksa ka thënë se pritshmëritë e tij në takim me të parin e ekzekutivit janë përmbushur sa i përket asaj se si e sheh Kosova zbatimin e planit të propozimit evropian.
“Me kryeminstrin Kurtin patëm një bisedë konstruktive, shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Po ashtu u takova me presidenten Osmani, me të cilën pata bisedë dhe do të takohem edhe me krerët e opozitës dhe bashkësinë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i kësaj vizite është të marrë informatat e nevojshme se si Kosova e sheh zbatimin e marrëveshjes dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë drejtim”, ka theksuar Lajçak.
Ai tutje ka thënë se të hënën dhe të martën do të qëndrojë në Beograd me të njëjtin qëllim, për të parë se si ata e shohin zbatimin e kësaj marrëveshje.
“...shpresoj të jemi të gatshëm të nxjerrim një dokument në takimin e Ohrit, por në këtë moment nuk mund të them më shumë për shkak se takimet po vazhdojnë. Me kryeministrin Kurti kemi diskutuar saktësisht për atë çfarë kam ardhur dhe tash di shumë më shumë për sa i përket pritshmërive nga ana e Kosovës për zbatimin e marrëveshjes”, ka shtuar Lajçak.
Në pyetjen e gazetarëve nëse do të ketë ceremoni nënshkrimi të marrëveshjes në Ohër dhe nëse ajo duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës, Lajçak ka thënë se tash për tash “ne po fokusohemi tek finalizimi e pastaj vijmë tek formalizimi”.
“Do të arrijmë edhe tek ajo, por hapi i dytë është njëherë finalizimi. Siç thuhet e kalojmë atë urë kur të arrijmë atje dhe shpresojmë që të arrijmë të nënshkruajmë në Ohër. Sa i përket parlamentit ai është pjesë e kësaj sepse kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Të dyja palët i kanë procedurat e brendshme që duhet ndjekur”, ka nënvizuar Lajçak.
Kryeministri Kurti takoi emisarin e BE-së, Lajçak
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.
Në takim u diskutua për përgatitjen e takimit të nivelit të lartë të caktuar për datën 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale e të vlerave të Bashkimit Evropian.
Në këtë frymë, ai gjithashtu shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për Normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës.
Ka përfunduar takimi Osmani-Lajçak
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka përfunduar takimin me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, dhe tani i është drejtuar ndërtesës së Qeverisë, ku pritet ta takojë kryeministrin Albin Kurti.
Sipas burimeve jo zyrtare, Lajçak tani do të takohet me zëvendëskryeministrin e parë, njëherësh kryenegociator i Kosovës për bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi.
Më pas, në orën 16, Miroslav Lajçak pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti.
Vizita e Lajçakut në Kosovë dhe Serbi pason takimin e 27 shkurtit, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve.
Kurse rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe, sipas BE-së, qëllimi kryesor është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani, si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.
Pas takimeve në Kosovë, Miroslav Lajçak do të udhëtojë për në Beograd.
Nis takimi i presidentes Osmani me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak

(E plotësuar) Ka nisur takimi në mes të presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
N.Mekolli /RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin do të bisedojë për procesin e dialogut, i cili pritet të vazhdojë.
Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do ta takojë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák”, thuhet në njoftimin e Kryeministrit.
Kurse rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.
Osmani e Kurti takohen me Lajçak
(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohen sot, ndaras, me përfaqësuesin special të të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
N.Mekolli /RTKlive

“Në orën 14:10, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajčák”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presidencës.
Për takimin Kurti – Lajçak ka njoftuar, përmes një komunikate për media edhe zyra për informim e Kryeministrit. “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák”, thuhet në këtë njoftim.
Lajçak sot nis vizitën në Kosovë

Bardha Shkreli /Radio Kosova
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, sot do të qëndrojë në Prishtinë. Ai pritet të zhvillojë takime me liderë të institucioneve të Kosovës, por edhe me përfaqësues të opozitës. Pas Prishtinës, Lajçak do ta vizitojë edhe Beogradin.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, sot nis vizitën në Prishtinë për takime me liderë të institucioneve të Kosovës, por edhe me përfaqësues të opozitës.
Në fillim të javës së ardhshme, Lajçak shkon për dy ditë edhe në Beograd. Vizitat i ka konfirmuar Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri. Sipas Stanos, Lajçak në Prishtinë do të qëndrojë më 9 dhe 10 mars, ndërsa me datat 13 dhe 14 do të qëndrojë në Beograd.
Ai ka thënë se pas takimit që liderët e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, kanë pasur së fundi në Bruksel, më 27 shkurt, Lajçak do të shkojë në Prishtinë dhe Beograd për t’i vazhduar ato diskutime dhe për të përgatitur takimin e radhës më 18 mars në Ohër.
Më 27 shkurt në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan se nuk ka më nevojë për diskutime lidhur me propozimin evropian, që ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.
Stano ka konfirmuar se tash qëllimi kryesor është që të arrihet pajtimi rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e marrëveshjes.
Ai ka thënë se qëllimi final është normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve, përmes një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, por kjo, sipas tij, do të pasojë në fund të procesit.























