Lista serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës
Fadil Sertolli / RTKlive
Lista Serbe përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në komunat në veri të Kosovës, të cilat do të mbahen më 23 prill.
Kjo parti thotë se nuk janë plotësuar kërkesat e tyre, të cilat kanë bërë që ata të largohen nga institucionet e Kosovës.
“Muaji mars është afati i fundit i aplikimit të partive për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme në komunat në veri të Kosovës. Në atë drejtim shfrytëzojmë rastin të informojmë qytetarët tanë se partia jonë politike nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, për shkak të kërkesave që kemi bërë dhe nuk janë përmbushur. As nuk do të marrim pjesë në asnjë vendvotim derisa të plotësohen kërkesat tona legjitime”, thuhet në statusin e tyre në Facebook.























