Tri vitet e fundit në Kosovë janë identifikuar 64 viktima të trafikmit
Mejreme Tahirukaj / Radio Kosova
Vetëm gjatë tri viteve të fundit në vendin tonë janë identifikuar 64 viktima të trafikimit, 48 prej tyre janë nën moshën 18 vjeçe.
Kosova ende nuk e ka shkallën e duhur të dënimeve të rasteve me trafikim të qenieve njerëzore, teksa sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës dënimet arrijnë deri në burgim të përjetshëm në rastet kur viktima e trafikimit rezulton me vdekje. Kështu u tha sot në një konferencë të organizuar nga misioni i OSBE-së dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Ndërmarrja e veprimeve kundër trafikimit me njerëz dhe shfrytëzimi për punë në zinxhirin e furnizimit, ishte tema që u trajtua sot nga OSBE dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, me ç’rast u fol për sfidat dhe veprimet ndaj kësaj dukurie. Ambasadori Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, tha se OSBE ka hartuar një plan veprimi për të evituar problemet e trafikimit dhe shfrytëzimit në zinxhirin e furnizimit.
“Trafikimi me qenie njerëzore në zinxhirin e furnizimit është fenomen kompleks. Misioni i ofron mbështetje operacionale Policisë së Kosovës, Drejtorisë së Hetimeve dhe Drejtorisë të Hetimeve të Trafikimit me Qenie Njerëzore përmes trajnimeve të specializuara. Siç është rritja e aftësive hetuese të personelit të specializuar për t'i mundësuar ata të identifikojnë dhe hetojnë në mënyrë efektive rastet e trafikimit”, ka thënë Davenport .
Ndërkaq ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, foli për infrastrukturën ligjore dhe ndëshkimin e rasteve të trafikimit. Ai tha se ende nuk janë në shkallën e duhur për sa i përket sanksioneve penale që shqiptohen ndaj personave që shpallën fajtorë për veprat penale të trafikimit.
“Nëse shkojmë të Kodi Penal për ndryshimet që janë bërë në kohën e fundit, ju do të shihni që dënimet janë rritur dhe janë kapitale. Kur viktima të trafikimit mund të rezultojnë me vdekje, dënimet te ne janë të përjetshme. Kur vepra penale e trafikimit kryhet në mënyrë të organizuar, dënimi është prej 7 vjet deri 20 vjet. Njëkohësisht përveç këtyre dënimeve, shqiptohet edhe dënimi me gjobë që shkon deri në 500 mijë euro”, ka thënë Kelmendi.
E, Riza Murati, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, duke folur për sfidat në identifikimin dhe hetimin e rasteve të trafikimit me njerëz, tha se forma më e vështirë për të gjetur prova është në rastet e shfrytëzimit për punë të detyruar. Murati tha se vetëm gjatë tri viteve të fundit janë identifikuar 64 viktima të trafikimit ku prej tyre 48 janë nën moshën 18 vjeç. Për nga forma e shfrytëzimit të viktimave 25 për qind janë në punë të detyruar, 67 për qind prostitucion i detyruar, 6 për qind kërkim lëmoshe dhe 2 për qind martesë e detyruar.























