Avokati i Popullit në Leposaviq, takon banorët që janë kundër shpronësimit
Visar Shatrolli/RTK
Në veri të vendit sot qëndroi Avokati i Popullit Naim Qelaj. Ai shkoi atje për t`i takuar disa banorë serbë të cilët po kundërshtojnë shpronësimin e disa tokave me interes publik në zonën kadastrale të fshatit Drenë. Madje disa serbë pretenduan edhe se janë rrahur nga Policia e Kosovës, e cila gjithashtu e ka kundërshtuar këtë akuzë.
Para disa ditësh Qeveria e Kosovës mori një vendim për shpronësimin e disa tokave me interes publik në zonën kadastrale të këtij fshati.
Ky vendim i Qeverisë së Republikës nuk i pëlqeu banorëve serbë. Ata protestuan duke e quajtur si vendim të paligjshëm dhe pretenduan se aty do të ndërtohet një bazë e policisë kufitare.
Ndonëse, aktualisht asnjë punë nuk është duke u kryer, disa prej serbëve qëndrojnë në tenda 24 orë.
Përballë tyre në rrugën ku kishte filluar zgjerimi i saj, qëndrojnë pjesëtarë të Njësisë Speciale të Kosovës.
Në lidhje me këtë disa banorë të këtij fshati kishin dërguar ankesa në drejtim të Avokatit të Popullit.
Ankesa këto të cilat sot personalisht në komunën e Leposaviqit i dëgjoi drejtuesi këtij institucioni Naim Qelaj.
“institucioni i Avkotati te Popullit i ka pranuar tri ankesa nga grupe qytetarësh në lidhje me këto çështje kështu që unë kam vendosur me hapë hetim edhe sipas detyrës zyrtare mbi krejt këto informacione dhe sot jam këtu me i dëgjuar prej jush krejt shqetësimet që i keni për këto ankesa që i keni parashtruar por edhe për çëshjt tjera...", deklaroi Qelaj.
Ndërkohë, një banor i fshatit Jashanicë ka ngritur një çështje duke pretenduar se Policia e Kosovë ia ka rrahur djalin dhe fqinjin e tij.
"Parmbrëmë e kanë rrahur djalin tim dhe djalin e komshiut tim pa kurrfarë arsye. Duke e nxjerrë me dhunë nga vetura dhe hedhur në asfalt", deklaroi Milloica Gjokoviq banor fshatit Jashanicë në Leposaviq.
Për këtë banorët e këtij fshati sot kanë protestuar për pretendimet e tyre se pjesëtarët e Policisë i kanë rrahur dy të rinj. Të pranishëm aty ishin vetë ata që pretenduan se u rrahën.
Megjithatë, këtë pretendim të banorëve serbë e ka përgënjeshtruar Policia e Kosovës. Përmes një komunikate për medie thuhet se, bazuar në informacionet dhe verifikimet zyrtare me të gjitha njësitet policore në terren, përfshirë ato kufitare, është vërtetuar se një rast i tillë nuk është raportuar në Polici të Kosovës, informacion ky i cili iu është kumtuar medieve të interesuara, kryesisht serbe.
Deklarimet dhe publikimet në fjalë, sipas kompetencës, Policia e Kosovës i ka adresuar tek Inspektorati Policor i Kosovës për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.
Ndërkohë, në lidhje me çështjen e shpronësimeve, të punës që është kryer atje, ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu, të mërkurën ka thënë se në pjesën veriore janë disa projekte që janë marrë seriozisht, dhe nuk mund të ecim, pa i kryer procedurat e shpronësimit. Pasi të kryhen detyrat, të realizohet shpronësimi .. tek pastaj vazhdohet.























