Kurti mirëpret vendimin për vizat: Pritjes po i vjen fundi
BKT
Lajme

Kurti mirëpret vendimin për vizat: Pritjes po i vjen fundi

B. H. / RTKlive

Këshilli Evropian ka marrë sot vendim unanim në favor të lëvizjes pa viza për qytetarët e Kosovës.

Këtë vendim e ka mirëpritur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka shprehur kënaqësinë dhe mirënjohjen e tij nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Ai po ashtu ka thënë se ky vendim shënon fundin e pritjes së gjatë për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë qenë të etur për të pasur udhëtim pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

“Një hap më afër: I kënaqur nga Këshilli i BE-së. Pritjes së gjatë po i vjen fundi. Mezi presim hapat përfundimtarë të Parlamentit Evropian”, ka shkruar Kurti.

Është e rëndësishme të theksohet se vendimi i Këshillit Evropian nuk është hapi përfundimtar në procesin e liberalizimit të vizave. Tash i mbetet Parlamentit Evropian ta miratojë këtë vendim përpara se ai të fillojë të zbatohet nga 1 janari i vitit 2024.

Kryeministri ka thënë se ky vendim i Këshillit të Ministrave të BE-së është edhe vlerësim i qeverisjes së mirë.

“Krahas rritjes e përmirësimit të gjithmbarshëm në indikatorët e drejtësisë, demokracisë e lirisë, sot kemi edhe vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së për udhëtimin pa viza për qytetarët e republikës. Ky vendim është vlerësim i qeverisjes sonë që po sjellë vendime të mira për qytetarët dhe njohje e reformave që po përmirësojnë indikatorët në organizata ndërkombëtare”, ka shkruar Kurti.


MË SHUME NGA Lajme