Kosova me Festival të Këngës, flet Krasta/Video
Besjana Mulaj/RTK
Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, Radio Televizioni i Kosovës do të organizojë Festivalin e Këngës përmes të cilit synohet që të promovohen cilësitë e larta muzikore. Përtej kësaj, ky aktivitet artistik është edhe një mundësi që Kosova të marrë pjesë në EuroSong. Festivali do të jetë tradicional ndërsa edicioni i parë nën drejtimin e Adi Krastës, i cili edhe është zgjedhur drejtor i këtij festivali, do të mbahet në tetor.
“Festivali i Këngës” është aktiviteti më i ri muzikor, që nën organizimin e Radiotelevizionit të Kosovës, do të sjellë cilësi të lartë të muzikës. Rregullorja e këtij festivali është miratuar nga Bordi i RTK-së, andaj edicioni i parë do të mbahet më 26, 27 dhe 28 tetor. Drejtor është zgjedhur Adi Krasta.
“Është një aktivitet mbarëkombëtar, i dedikohet cilësisë së lartë të krijimit muzikor, sjelljes plotë shije dhe elegancë të njerëzve në televizion dhe do të realizohet vetëm për t’i dhënë shqiptarisë sepse është një aktivitet mbarëkombëtar, një zë i rëndësishëm, sepse Kosova është shumë e avancuar, është plotë energji”, deklaroi Krasta.
Ky festival është një mundësi që edhe Kosova si shtet të marrë pjesë në Eurosong.
“Do të shkojë paralel me punën diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme apo të veprimtarisë diplomatike të drejtorit të televizionit, z. Ahmetxhekaj, i cili tenton ta bind EBU –në dhe Euro Songun që Kosova të marrë pjesë. Ne po punojmë duke pasur në mendje që ky shtet i mrekullueshëm me forca krijuese të hatashme është në gjendje të krijojë një festival të këngës”, tha ai.
Sipas rregullores së miratuar në mbledhjen e fundit të Bordit, Festivali i Këngës është i mëvetësishëm në skenën muzikore të Kosovës, me simbolet e veta identifikuese, institucionale dhe artistike.