Gjini: AAK nuk ka ndryshuar qëndrim, jemi pro propozimit evropian
V. Th / RTKlive
Ardian Gjini, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deklaroi se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim e se ende vazhdon ta përkrahë planin evropian, i cili do ta ketë votën e tyre në Kuvend.
Këtë deklaratë Gjini e ka bërë në një konferencë për media pas takimit me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ai ka thënë se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ia ka përcjellur këtë qëndrim Lajçakut, se e mbështet planin evropian, por se ka kërkuar disa sqarime të vogla për të.
“Kryetari Haradinaj e përcolli te zoti Lajçak, që është për propozimin evropian. Kemi pasur mendime dhe insistime që detaje të vogla të sqarohen dhe janë sqaruar”, ka thënë Gjini, duke e përsëritur edhe një herë se si Aleancë nuk kanë ndryshim të qëndrimit.
“Nëse një marrëveshje e tillë vjen në bazë të kushtetutës ne e pranojmë edhe në Kuvend. Nuk kemi dilema të mëdha por gjithmonë na duhet pak qartësi dhe siguri ”, ka shtuar ai.
“Jemi të gëzuar që në fund edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian e mbështesin Kosovën dhe kjo është diçka e mirë”.
Gjini, tutje tha se nëse marrëveshja do të ishte draftuar nga Aleanca, do të kishte qenë më ndryshe, dhe tregoi se nuk e dini saktë se çka përmban marrëveshja.























