Bie kënaqshmëria ndaj liderëve|Video
BKT
Lajme

Bie kënaqshmëria ndaj liderëve|Video

Donika Sherifi /RTK

Ka rënë kënaqshmëria e qytetarëve për presidenten, kryeministrin e kryeparlamentarin e Kosovës. Sipas raportit të Pulsit Publik të realizuar nga UNDP, që përfshin periudhën e anketimit tetor-nëntor 2022, edhe për sistemin e drejtësisë, qytetarët kanë ulje të kënaqshmërisë. Sipas këtij raporti,  shqetësuese në Kosovë mbetet edhe furnizimi me energji elektrike dhe shëndetësia.

Shumë nga institucionet e vendit, kohëve të fundit kanë krijuar pakënaqësi te qytetarët e Kosovës. Kënaqshmëria e qytetarëve ka rënë për punën e kryeministrit Albin Kurti dhe të kabinetit të tij. Nga prilli 2022 deri në nëntor, kënaqshmëria e qytetarëve për punën e kryeministrit ka rënë nga 52.60% në 44.90%, apo 7.7 për qind më pak, ndërsa ndaj kabinetit të tij, nga 47.20% në 41.00%, apo 6.2 për qind më pak.

Sipas raportit të pulsit publik të realizuar nga UNDP, që përfshin periudhën e anketimit tetor-nëntor 2022, kënaqshmëria e qytetarëve për punën e Kuvendit, nga 52.60% ka rënë në 39.10%, ndërsa për kryeparlamentarin Glauk Konjufca, ka shënuar rënie nga 54.40% në 50.80%.

Kënaqshmëria e qytetarëve ka rënë edhe për punën e presidentes Vjosa Osmani, pasi nga 58.40% sa ishte në prill, ka rënë në 56.80% në nëntor.

Edhe për sistemin e drejtësisë, qytetarët kanë ulje të kënaqshmërisë. Nga 39.10% sa ishte kënaqshmëria ndaj gjykatave, për nëntë muaj ka rënë në 24.40%, kurse për periudhën e njëjtë, edhe për punën e Prokurorisë, nga 37.10% ka rënë në 22.00%.

Anketa e Pulsit Publik e nëntorit 2022 u kërkoi po ashtu të anketuarve që të zgjedhin një nga problemet më të ngutshme me të cilat përballet Kosova. Gjetjet tregojnë se shqetësimet më të mëdha të qytetarëve janë papunësia, varfëria dhe çmimet e larta për produktet esenciale.

Sipas qytetarëve, shqetësuese në Kosovë mbetet edhe furnizimi me energji elektrike dhe shëndetësia. 21.1% e të anketuarve pohojnë se korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm në institucionet publike dhe ndërkombëtare në Kosovë, një rritje për 1.1% nga prilli 2022 në 22.2% në muajin nëntor.

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti, numri i atyre që do të merrnin pjesë ka shënuar rritje. 70.6% e meshkujve dhe 67.6% e femrave kanë thënë se do të dilnin për të votuar nëse zgjedhjet mbahen të ardhmen e afërt.

Sa i përket punësimit në institucionet publike, 71.3% e të anketuarve konsiderojnë se punësimi aty nuk bëhet në baza meritore, krahasuar me prillin 2020, kur këtë e besonin 75% e të anketuarve.

Të gjeturat e raportit bazohen në anketat gjashtëmujore të opinionit, që kryhen dy herë në vit me të anketuar mbi 18 vjeç në Kosovë.


MË SHUME NGA Lajme