Fati i të zhdukurve, si pikë e gjashtë|Video
BKT
Lajme

Fati i të zhdukurve, si pikë e gjashtë|Video

Hana Marteti /RTK

Pjesë e dialogut me Serbinë ishte bërë edhe çështja e personave të pagjetur. Fati i tyre, në kuadër të propozimit evropian, përmendet vetëm në nenin 6, ku, ndër tjerash, thuhet se palët bien në ujdi ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen për personat e zhdukur.

Familjarët e tyre, të cilët më shumë se 2 dekada presin lajme, sot u shprehën të pakënaqur me renditjen që i është bërë fatit të familjarëve të tyre në propozimin evropian. Bajram Qerkini kërkon që çështja e të pagjeturve, si çështje humane, të ndahet nga politika.

Edhe pas pothuajse 2 dekada e gjysmë, ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Njëri ndër këta persona është edhe i biri i Bajram Qerkinit, njëherësh edhe përfaqësues i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Zhdukur.

Sipas Qerkinit, çështja e të pagjeturve është humane dhe duhet të ndahet nga politika. Bajram Qerkini, përfaqësues i Shoqatës “Zëri i prindërve”

“Na nuk jemi të informuar dhe na nuk presim asgjë që të bëhet prej komisionit qeveritar, edhe pse thuhet se është një aneks i pathanun për personat e pagjetur sipas mediave sipas analisteve, po kjo nuk qon peshe te na. Njëherë e përgjithmonë duhet kjo çështje humane mu heq prej politikës, e dimë që politika e ka bo, po kjo pune ka me shkua me shekuj”.

Në pikën 6 të planit franko-gjerman, përmenden edhe personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, e përfaqësues të kësaj shoqate shprehen të pakënaqur me këtë renditje.

“ E kanë qitë mjerisht në pikën 6 me disa gjana kulturë e s’di çka të cilat nuk i mohoj, po çështjen e të zhdukurve në pikën e 6 është mjerim”, tha ai.

Qerkini shtoi se nuk kanë pasur një takim zyrtar me prijësit e shtetit.

“Takim individual kom pas, po jo qysh është komisioni qeveritar me detyrim njëherë në mujt mu taku me familjar kjo s’ka ndodhë  hiq”.

E të pakënaqur familjarët e të zhdukurve janë edhe me çështjen e gërmimeve.

“Janë bë gërmime vlerësuese, jo gërmime. D.m.t.h kanë gjetur ku besohet se ka trupa, kurse gërmimet serioze nuk i kanë bë as në Kosovë, të cilat janë varreza masive në pjesën e veriut po as në komunën e Zubin Potokut”.

Shoqata e personave të zhdukur në Mitrovicë, shprehet e pashpresë në zgjidhjen e fatit të familjarëve të tyre. Kryeministri Kurti kishte bërë me dije se një marrëveshje për të zhdukurit e pret nënshkrimin e presidentit serb.


MË SHUME NGA Lajme