Pas takimit me ministrin grek, presidentja vlerëson përkrahjen e Athinës
Jeton Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.
Siç njofton Zyra për Media e Presidencës, Osmani ka vlerësuar angazhimin proaktiv të Greqisë në rajonin tonë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit grek për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.
Në këtë frymë, Presidentja Osmani, duke u thirrur në vlerat e përbashkëta euroatlantike, ka kërkuar që mbështetja greke për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike të vazhdojë.
Ndër të tjera, Presidentja Osmani ka theksuar se integrimi i plotë ndërkombëtar i Kosovës, përfshirë Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Këshillin e Evropës, do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme në rajon.
Tutje, Presidentja Osmani ka falënderuar ministrin Dendias për mbështetjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, në votimin e fundi të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe për avokimin e vazhdueshëm për t’i dhënë fund këtij procesi.
Në takim është diskutuar edhe për raportet Kosovë-Greqi, me ç’rast Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve dyanëshe, duke përmendur nevojën e rritjes së shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimit në sfera të ndryshme të interesit të përbashkët.
Në lidhje me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se plani i zbatimit të marrëveshjes duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës, e cila do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon, gjersa ka ritheksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë në këtë proces do të vazhdojë.
Kryediplomati grek nis takimet në Prishtinë, pritet nga Presidentja Osmani
Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, ka mbërritur në Kosovë.
Ai në orën 11:00 është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Nga presidenca kosovare kanë njoftuar se pas takimit, nuk do të ketë deklarim për mediat do të lejohen vetëm të marrin fotografi dhe disa minuta xhirime.
Kryediplomati grek do të takohet gjatë ditës edhe me kryeministrin Albin Kurti e me ministren e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla.
Aktualisht Greqia është një nga pesë shtetet e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ruan marrëdhënie të ngushta me Prishtinën zyrtare.

Kryediplomati grek sot për vizitë zyrtare në Kosovë
Për herë të tretë brenda nëntë muajve, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, viziton Kosovën.
Kryediplomati grek do të pritet sot në takim, në orën 11:00, nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Më pas, ai do të pritet edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili do të shtrojë edhe një drekë për nder të tij.
Gjithashtu, takim do të ketë edhe me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla-Schëarz.
“Diskutimet gjatë vizitës pritet të fokusohen në zhvillimet në dialogun Beograd-Prishtinë dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke.
Dendias ishte për vizitë zyrtare në Kosovë, në qershor të vitit të kaluar. Por pa kaluar as shtatë muaj, në dhjetor 2022, ai erdhi sërish në kryeqytetin kosovar.
Greqia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Por, qasja e saj karshi Kosovës ka qenë konstruktive, e sidomos përgjatë viteve të fundit.























