Kurti e Dendias flasin për takimin e Ohrit mes Kosovës e Serbisë
J.Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati sot një drekë pune me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, i cili po zhvillon vizitën e gjashtë të tij në Kosovë.
Sic njofton Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrisë, ata diskutuan për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe perspektivat për avancimin, themelimin dhe fuqizimin e tyre.
Kryeministri Kurti i shprehu edhe një herë ngushëllime ministrit Dendias dhe popullit grek për jetët e humbura në aksidentit tragjik që ndodhi në Greqi në javën e parë të marsit.
Ata folën për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe për propozimin evropian për Marrëveshje Bazë.
Me këtë rast kryeministri Kurti e njoftoi ministrin Dendias për takimin e 27 shkurtit në Bruksel dhe pritjet e Kosovës nga takimi i 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kurti e Dendias në drekë pune
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke drekuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, gjatë vizitës së këtij të fundit në Prishtinë.
Në të njëjtën kohë, ata janë edhe duke zhvilluar takimin e tyre kokë më kokë, në këtë drekë të shtruar në një një nga restaurantet që ndodhet në Parkun e Gërmisë.
Gazetarja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, ka siguruar edhe fotografi nga kjo drekë, ku pranë tyre, nuk ndodhet asnjë nga zyrtarët e tjerë nga të dy vendet.
Pas kësaj dreke pune, ministri Dendias do të pritet në takim edhe nga homologia e tij, Donika Gërvalla.
Dendias e Kurti ne drekë pune
Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, pas takimit me presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti.
Ndryshe nga herët e kaluara, kësaj radhe, ministri grek është pritur në një drekë pune të shtruar nga kryeministri kosovar.
Ekipi i RTK-së i cili po përcjell nga afër këtë vizitë, ka siguruar edhe fotografitë nga pritja e rezervuar nga nikoqiri për kryediplomatin grek.
Edhe në këtë rast, nuk pritet deklarim për media, ndonëse një takim tjetër, Dendias do të ketë edhe me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla.
Pritet që pas këtij takimi, të dy ministrat, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, të mbajnë një konferenfcë të përbashkët për media.
























