Kryesia: S’ka seancë këtë javë, dy komisione janë jashtë vendit
M.Sh/RTKlive
Këtë javë nuk do të ketë seancë të rregullt plenare, pasi deputetët e dy komisioneve të Kuvendit janë në vizitë jashtë vendit. Kështu ka deklaruar shefja Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë së kuvendit. Ajo tha se seancat e radhës janë në javën e ardhshme, ndërsa të gjitha komisionet, sipas saj, do të vazhdojë mbledhjet e zakonshme.
Kusari -Lila pas mbledhjes foli për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe takimin që do të mbahet në Ohër më 18 mars.
“Pala kosovare ka prezantuar gatishmërinë për t’u dakorduar për një plan që rrjedh nga propozimi evropian. Presim qasje konstruktive edhe pse mund të flasim vetëm për njërën palë. A do të ketë sukses takimi në Ohër mbetet të shihet”, është shprehur ajo.
Ndërsa sa i përket shtrenjtimin e energjisë elektrike për bizneset, ajo tha se “mbetet të shihet ditëve në vijim se cili do të jetë modeli final që do të përdoret nga prilli”.
“Edhe vitin e kaluar ka qenë propozimi për shtrenjtim të energjisë elektrike pastaj qeveria ka subvencionuar. Mbetet të shihet ditëve në vijim se cili do të jetë modeli final”, ka thënë ajo.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri u fokusua te marrëveshja që pritet të nënshkruhet në Ohër.
Ai tha se kryeministri Albin Kurti i ka sjellë Kosovës në tavolinë një marrëveshje të dëmshme.
“Vetë institucionet e Kosovës në një formë po e kontestojnë shtetësinë tonë. Neni 7 po e etablon atë që do të ndërtohet e që ka me qenë autonomia e serbëve. Nuk është Asociacioni më çështje, është neni 7, është autonomia që ne e marrim si obligim ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Tahiri ka përmend edhe propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e një Komisioni Hetimor për dhunën në familje. Këtë ide ai e ka quajtur “të tmerrshëm”.
“Ato që u diskutua në kudër të këtij takimi ishte edhe një iniciativë nga VV-ja për themelimin e një komisioni hetimor për hetimin e dhunës në familje dhe vrasjes së tyre. Sikur ky komision të propozohej nga opozita do të kishte kuptim, kjo të propozohet nga pushteti është e tmerrshme. Kjo qeverisje tash e dy vite ka dështuar në shumë hallka. Kur vjen puna që pushteti të propozojë komision hetimor i bie që duhet t’i shkarkojë ministrat e dy dikastereve përkatëse”, ka deklaruar Tahiri.























