Kurti: Pa barazi gjinore, s’mund të ketë demokraci
Fadil Sertolli / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në Kosovë nuk mund të ketë demokraci, nëse nuk ka barazi gjinore.
Këto komente, kreu i qeverisë së vendit i bëri sot në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas, me temën kryesore “Barabarësia: Parakusht për Ripërtëritje të Demokracisë” të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik.
“Politika është e lidhur me bindjet në mënyrë të pashkëputur. Janë analizat dhe kërkimet, por në politikbërje janë të rëndësishme bindjet. Unë besoj se nuk mund të kemi demokraci pa barazi gjinore. Ajo ndërtohet mbi pluralizëm, sundim të ligjit dhe barazi gjinore”, tha Kurti.
Barazia gjinore, siç tha ai, është ajo që përbën urën për barazi shoqërore.
“ Sa i përket Kosovës, unë besoj se ajo është duke u përmirësuar dhe përmirësimi është më i shpejtë se kurrë më parë”, u shpreh Kurti.
Tutje tha Kurti ka deklaruar se vitin e kaluar kishte publikuar takimet me dy familje serbe në Istog, dhe se menjëherë ka pasur hakmarrja ndaj tyre.
“Unë kurrë nuk kam pasur takime më shumë takime me serbët lokalë sesa në vitin 2022. Por më duhet të them që pothuajse të gjitha ato takime nuk janë bërë publike dhe kjo bëhet me kërkesë të atyre që i takoj, dhe si për të vërtetuar që kanë pasur të drejtë, kur isha me ministrin tim për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rsashiq në Istog në dy familje serbe, pasi që i kemi publikuar ato dy takime, menjëherë ka pësuar një hakmarrje strukturore e eksponentëve të caktuar të strukturave paralele të Serbisë, të cilët kanë filluar që atyre t’u vështirësohet jeta, qoftë duke ua ndalur ndihmat, qoftë duke pasur pasoja në sistemin arsimor ata dhe familjet e tyre. Menjëherë po pason goditja nga Beogradi zyrtar dhe mekanizmat që i ka në Kosovë, atëherë kur ata po bashkëpunojnë me Qeverinë e Republikës”, u shpreh numri një i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.
Drejtoresha e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, ambasadorja Nancy Soderberg u shpreh se qëllimi i Javës së Gruas është që t’i bashkojnë burra e gra për të diskutuar për barazi në të gjitha poret e shoqërisë.
Ajo theksoi se tema e këtij viti ka për qëllim që të theksojë barazinë si një parim që mund t’i anashkaloj pabarazitë ekonomike, sociale e politike dhe për të sjell një demokraci të drejtë dhe të barabartë.
“Ajo që është me rëndësi është se burrat po bëhen pjesëmarrës të rregullt në javën e gruas pasi vetëm gratë nuk mund t’i bëjnë ndryshimet, por as burrat nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. Për të shkuar në këtë rrugë duhet ta rrisim barazinë mes burrave dhe grave…..Java e gruas këtë vit tema e saj ka qenë barazia parakusht për një ripërtërirje të demokracisë dhe kjo ka për qëllim që të theksojë barazinë si një parim që mund t’i anashkaloj pabarazitë ekonomike, sociale e politike dhe për të sjellë një demokraci të drejtë dhe të barabartë ku të gjithë ndjehen të fuqizuar dhe kanë të drejta të plota”, tha ajo.
Drejtoresha e Misionit të USIAD në Kosovë, Zeinah Salahi u shpreh se përmes Javës së Gruas vihet në theks përkushtimi për barazinë gjinore dhe bashkon gra e burra për të arritur këtë qëllim.
Ajo tha se bashkë me NDI po punojnë për fuqizimin e grave dhe do ta ndihmojnë Kosovën derisa të ndërtoj një demokraci më të fuqishme dhe më gjithëpërfshirëse.
“Jemi duke punuar së bashku për t’i fuqizuar gratë për fuqizimin e pjesëmarrjes së tyre në proceset politike të Kosovës. Së bashku ne do të fuqizojmë demokracinë se çdo pjesëmarrës këtu do të theksoj aftësitë e tyre dhe do të kontribuoj në strukturën unike për të avancuar politikbërjen në Kosovës….Kosova ka festuar 15 vjetorin e pavarësisë së saj dhe mund të vërtetoj përpjekjet e saj në pjesëmarrjen e gruas në jetën shoqërore. Për 1 vit që kam qenë në Kosovë mund të shoh më shumë gra në politikë vendore kombëtare…megjithatë gratë ende nuk janë të përfaqësuara në të gjitha nivelet të vendimmarrjes, komunitetet joshumicë nuk janë të përfaqësuara si duhet në institucionet e nivelit lokal dhe gjithashtu gratë nuk janë të përfaqësuara në pozitat e larta. Gjithashtu mungojnë disa procese politike dhe gjithëpërfshirëse. Këto tema të rëndësishme do të ndihmojnë që të kemi më shumë demokraci të barabartë dhe të drejtë duke përfshirë balancinë gjinor, pjesëmarrjen e grave në medie pavarësinë dhe fuqizimin e grave”, tha ajo.
Ndryshe, Java e Gruas do të zgjasë sot dhe nesër, e cila është mbështetur nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Ambasada e Kanadasë në Kroaci dhe Kosovë.
Përgjatë këtyre dy ditëve në panelet diskutuese do të trajtohet krijimi i ambientit gjithëpërfshirës për rekrutimin dhe mbajtjen e grave dhe të rinjve në partitë politike; lidhshmëria në mes të fuqizimit ekonomik të grave dhe rritjen e numrit të tyre në politikëbërje si dhe përfaqësimit kuptimplotë; progresi i grave në qeverisje lokale dhe çfarë mbetet për t’u bërë tutje nga partitë politike dhe institucionet qeveritare për të siguruar barabarësi; dhuna ndaj grave në politikë dhe përfaqësimi i tyre në media.























