Abdixhiku: Pa marrëveshje të ndërsjellë nuk ka normalizim me Serbinë
M.Sh/RTKlive
Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë - Serbi. Kështu ka deklaruar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Këto komente ky i fundit i ka bërë gjatë një takimi që zhvilloi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Në takim po ashtu u elaboruan edhe pikëpamjet e LDK-së mbi Preambulën, Nenin 7 dhe Nenin 10 të tekstit të marrëveshjes, njofton LDK.
Themelet e bashkëpunimit me SHBA-në, sipas tyre, janë historike dhe mbi to do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët.
Gjatë takimit me ambasadorin Hovenier u bisedua për zhvillimet politike në vend dhe procesin e dialogut.
“Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin mbi qëndrimin tashmë të bërë publik të Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi procesin e dialogut. LDK-ja i ka dhënë gjithnjë përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja po ashtu mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”, thuhet në njoftimin e kësaj partie opozitare.























