Von Carmon: Zbatimi i planit evropian do t’i hapte Kosovës rrugën për në BE
BKT
Foto: Viola Von Carmon / Twitter
Lajme

Von Carmon: Zbatimi i planit evropian do t’i hapte Kosovës rrugën për në BE

V. Thaçi / RTKlive

(E plotësuar) Gjatë vizitës në Strasburg kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar edhe Viola Von Carmon raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Von Carmon, ka thënë se me Kurtin kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe për takimin e ardhshëm i cili do të mbahet më 18 mars në Ohër.

“Përsëriti mbështetjen e plotë për planin e BE-së për Kosovën dhe Serbinë dhe ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë të gjejë një mënyrë për të siguruar zbatimin, pasi me të vërtetë do të hapë rrugën përpara për Kosovën në BE”, ka shkruar ajo në Twitter.

Kurti në Strasburg: Aplikimi për anëtarësim në BE, synim i hershëm  

N.Mekolli /RTKlive

Qëndrimin në Strasburg, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e vijoi me takimin me Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, eurodeputetin David McAllister.

Bëhet e ditur se gjatë takimit, kryeministri Kurti foli për përparimin demokratik të vendit, të njohur tashmë edhe në indekset ndërkombëtare në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsioni, lirinë e medias dhe të drejtave politike dhe lirive civile.

“E krahas, indikatorëve demokratikë, në dy vitet e fundit, u shënua edhe rritje ekonomike, rritje e të hyrave buxhetore pa ndryshuar politikat fiskale, eksporteve, dhe te investimet e huaja direkte. Duke dhënë kështu shembullin dhe ofruar dëshminë që demokracia cilësore dhe zhvillimi ekonomik mund të shkojnë krah për krah”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.

“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përveçse orientim e synim i hershëm, erdhi edhe si rezultat i progresit në vend, që u njoh edhe nga Raporti i BE-së për vendin. Në takim, u diskutua pikërisht edhe për aplikimin e Kosovës dhe për rrugën përpara, dhe për finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës”, ka thënë Kurti.

Kurti dhe eurodeputeti McAllister kanë diskutuar edhe për procesin e dialogut të lehtësuar nga BE, për propozimin Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar në Bruksel me 27 shkurt, dhe për takimin që pritet të mbahet këtë fundjavë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Sa i përket planit të zbatimit të Marrëveshje Bazë sipas propozimin Evropian, kryeministri tha se ai duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar. Në këtë takim, kryeministri Kurti shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jeta Statovci, anëtare e Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë”, thuhet në njoftim.

Kurti e vlerëson pozitiv takimin me eurodeputetët e EPP-së

Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar ‘energjik’ takimin e sotëm me eurodeputetët e EPP-së në Strasburg.  EPP është grupi më i madh në Parlamentin Evropian.

“Ata përsëritën mbështetjen për aplikimin tonë për anëtarësim në BE, liberalizimin e vizave dhe reformat demokratike”, ka shkruar Kurti në ‘Twitter’.

Ai ka thënë se Kosova vazhdon të zhvillojë bisedime kur bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal dhe vlerat evropiane.


MË SHUME NGA Lajme