Rexhep Hoti sërish me roman të përkthyer në Itali
Kulturë

Rexhep Hoti sërish me roman të përkthyer në Itali

RTKlive

Rexhep Hoti sërish me roman tjetër të përkthyer në Itali . “Flirti civil dhe ambasadori” është vepra e tretë e përkthyer e Hotit në italisht. Autori në vitin 2020 iu përkthye libri “Kambanat e heshtjes”, përmbledhje me poezi. Në vitin 2021, iu përkthye romani “Nata e Kosovës” e përcjellë nga parathënia e Ismail Kadaresë dhe pasthënia e Ndue Lazrit.

"Pas botimit në gjuhën italiane të veprës “Kambana e heshtjes” (2020) dhe romanit “Nata e Kosovës” (2021), sapo ka dalë prej botimit edhe romani “Flirti civil dhe ambasadori” nga shtëpia botuese “Kimerik” në Itali. Në një sintezë që ia bën romanit shtëpia botuese “Kimerik”, ndër të tjera shkruan: “Është momenti në të cilin sapo ka lindur shteti më i ri në Evropë dhe ky shtet i ri i ngjan një fëmije që pasi kishte emrin Republika e Kosovës, duhet të zgjerojë njohuritë e saj drejt botës, ashtu siç ka nevojë edhe bota të dijë për të dhe ta ndihmojë që të ngrihet... Por ata që thirren për ta rritur, në vend që ta mbështesin me përkëdhelje siç rritet një fëmijë, i vjedhin oksigjenin dhe e çojnë drejt asfiksimit.

Në vazhdim sinteza thellohet në një reflektim krejt të veçantë ku ndër të tjera e shkëpusin këtë pjesë: “Për të na sjellë realitetin bashkëkohor shqiptar dhe evropian, Rexhep Hoti shkruan një libër të një natyre të veçantë, ku boshti historik ndërthuret me analizën politike, dramën shekspiriane të intrigave me metaforën poetike, që është lajtmotivi në të gjithë përmbajtjen e librit. Dhe këto veçori të librit mund t'i shohim nga prologu ku dy shkrimtarë dhe intelektualë flasin të shqetësuar për fatin e Shqipërisë dhe Kosovës, nga metafora e ambasadorit imagjinar (që nuk është aq imagjinar), në intrigat e post-udhëheqësit dhe komandantët e luftës që konkurrojnë për të pasur sa më shumë fitime ekonomike, deri në flirtet e hapura me ndërkombëtarët, të cilët, si shkaba, zgjasin kthetrat e tyre për t'i nxjerrë të ardhurat e tyre në një gjendje pothuajse në ankand", ka shkruar  autori në 'Facebook'.

Sipas tij në të vërtetë, romani kap një gamë trajtimesh që ndërlidhen nga jeta intime e qeveritarëve e deri të vallëzimi i tyre në çadrat e Gadafit. Pjesë që zë hapësirë brenda romanit është edhe pozicioni dhe kodifikimi i shoqërisë civile, e cila, sikurse klasa politike, vrapon pas gjahut të vet.

"Natyrisht shtjellimi i romanit e ndërton fuqinë e vet semantike edhe në arkeitipin e ambasadorit, i cili, ndonëse është i një vendi mik i Republikës së sapokrijuar, nuk mund t’i bëjë ballë tundimit për përfitime personale, me ç’rast niveli nënshtresohet edhe më tej në merimangën e korrupsionit e të krimit mbi të cilën ngritet shteti më i ri i Europës", ka shkruar ai.

Romani “Flirti civil dhe ambasadori” i botuar në italisht është i përcjellë edhe nga parathënia e përkthyesit të saj Ndue Lazri.


MË SHUME NGA Kulturë