Të dërguarit gjerman, PDK ia paraqet rezervat për planin franko-gjerman
J.Musliu/RTKlive
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Krasniqi tha se me diplomatin gjerman ka diskutuar gjerësisht për propozimin evropian, të pranuar tashmë nga Kryeministri Kurti.
“Sikur edhe në takimet e tjera të këtyre ditëve, edhe emisarit Sarrazin i ripërsërita qëndrimin e PDK-së dhe rezervat që ne kemi në raport me këtë propozim, që është i pamjaftueshëm për Kosovën”, deklaroi Krasniqi me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Ai tha se ka deklaruar në Washington, Bruksel dhe në Kuvend të Kosovës pesë pikat të cilat duhet të jenë shtylla të një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme me Serbinë.
“Që të gjitha kanë qenë në linjë me interesin shtetëror të Kosovës dhe me qëndrimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë”.
Krasniqi u shpreh se fatkeqësisht, si pasojë e kokëfortësisë dhe mos koordinimit me aleatët, Kryeministri Kurti ka dështuar në procesin e dialogut – duke mos përmbushur kërkesat dhe qëllimet tona shtetërore.























