Mbrojtja e Veselit hedh poshtë akuzat|Video
Donika Sherifi /RTK
Mbrojtja e Kadri Veselit ka hedhur poshtë të gjitha akuzat me të cilat është ngarkuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Mbi 50 faqe është dosja e mbrojtjes në të cilën thuhet se nuk është kryer asnjë krim nga ana e tij. Gjykimi i krerëve të UÇK-së fillon më 3 prill.
Kanë mbetur më pak se tri javë deri në fillimin e procesit gjyqësor ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, nga 3 prilli do ta nisin përballjen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Për këtë, Gjykata Speciale në faqen e saj ka publikuar dosjen e mbrojtjes prej më shumë se 50 faqesh të Kadri Veselit, në të cilën mbrojtja mohon të gjitha akuzat që i bëhen atij.
“Mbrojtja pohon se thjesht nuk ka asnjë bazë për përfundimin e sugjeruar se këto krime të supozuara janë kryer me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, ose me pranimin e tij të vetëdijshëm.
Thjesht fakti që një krim i supozuar është kryer nga një ose disa vullnetarë të UÇK-së është padyshim i pamjaftueshëm për këtë qëllim”, thuhet në pikën 11 të dosjes.
Sipas pikës 34 të kësaj dosjeje, thuhet nuk ka asnjë dëshmi që Veseli ka kryer ndonjë vepër penale, apo të jetë përfshirë në mënyrë direkte.
Në pikën pasardhëse (35), ku flitet për zinxhirin komandues, thuhet se ka prova të kufizuara në rastin e Prokurorisë në lidhje me rolin e Veselit në Shtabin e Përgjithshëm.
“Nuk ka asnjë dëshmi se ai ka marrë pjesë në mbledhje të rregullta dhe se ai ishte marrës i raporteve të rregullta nga Shtabi i Përgjithshëm. Aty nuk ka dëshmi se ndonjë njësi apo personel është caktuar në komandën e Veselit dhe nuk ka asnjë urdhër të nënshkruar nga Veseli, apo të lëshuar në emër të tij”, thotë mbrojtja.
Dosja e gjatë e Emmerson përmbyllet me paragrafin në të cilin thuhet se thjesht nuk ka asnjë provë që Kadri Veseli, duke vepruar së bashku me të bashkakuzuarit, ose me të tjerë të përmendur si anëtarë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale të supozuar, kanë pranuar të ndjekin një drejtim kriminal.
“Konkretisht, provat nuk tregojnë se ekzistonte një qëllim i përbashkët kriminal, se Veseli ishte palë në të, ose se ai ka kontribuuar në mënyrë të konsiderueshme apo në zbatimin e tij, ose në ndonjë formë të kriminalitetit gjatë periudhës së aktakuzës. As nuk ka asnjë provë që ai ka vepruar në ndonjë moment përkatës me qëllim kriminal", është thënë në këtë dosje.
Në dosje përmendet edhe pozicionimi i Veselit në Shërbimin Informativ të Kosovës, të njohur si SHIK, si dhe roli i tij në Konferencën e Rambujesë, ku sipas Emmerson, Kadri Veseli nuk ishte pjesë e delegacionit të UÇK-së në Rambuje.























