Gianni Infantino rizgjidhet president i FIFA-s
RTSH
Gianni Infantino është zgjedhur për herë të tretë si president i FIFA-s. 52-vjeçari u konfirmua në detyrë në Kongresin e 73-të FIFA-s në Kigali të Ruandës deri në vitin 2027.
Rizgjedhja e tij nuk ishte surprizë pasi nuk kishte asnjë kandidat kundërshtar.
Në përputhje me statutet, votimi për kandidatin e vetëm në garë u zhvillua me aklamacion, procedurë e njëjtë kjo me rizgjedhjen e tij të parë në 2019, kështu shoqatat kombëtare sinjalizuan miratimin e tyre të gjerë me duartrokitje.
Infantino mori detyrën në 2016, duke vazhduar kështu mandatin e lënë përgjysëm nga Blatter. Për këtë motiv mandati aktual konsiderohet i dyti për Infantinon-n, të cilit i lejohet të rikandidojë për këtë post edhe për një 4-vjeçar tjetër (2027-2031). Sipas statutit të FIFA-s një person mund të jetë president i këtij organi jo më shumë se për tre mandate.
“Është një nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e madhe”, tha Infantino. "Unë premtoj të vazhdoj t'i shërbej FIFA-s dhe futbollit në mbarë botën. Për ata që më duan, dhe unë e di që ka shumë, dhe ata që më urrejnë… unë ju dua të gjithëve", tha 52-vjeçari.