Hyseni: Takimi i së shtunës pres të jetë temë tipike shtetërore|Video
BKT
Lajme

Hyseni: Takimi i së shtunës pres të jetë temë tipike shtetërore|Video

M.Miftari/RTKlive

Lidhur me takimin e Ohrit, që do të mbahet më 18 mars e ku do të jenë pjesëmarrës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për arritjen e marrëveshjes për planin franko-gjerman, të mbështetur nga BE e SHBA, që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve të të dyja vendeve, është debatuar e po debatohet nga shumë njohës të çështjeve të politikës dhe të sigurisë. 

Flamur Hyseni, profesor i së Drejtës, tha se paraqitja publike e kryeministrit Kurti në takimin e 27 shkurtit ishte interesante, ngase është shfaqur i qetë, optimist, ndërsa për draftin e marrëveshjes, sipas tij, në parim është i mirë.

“Në parim drafti i marrëveshjes është i mirë, përjashto nenin 7 dhe 10, konkretisht mënyra ose plani që do të përdoret për ta zbatuar këtë”, deklaroi Flamur Hyseni, profesor i së Drejtës.

Kurse lidhur me deklarimet e opozitës ndaj marrëveshjes, profesor Hyseni i vlerëson si tema të brendshme politike, ndonëse, siç tha ai, pret që takimi i së shtunës të jetë temë tipike shtetërore.

“Sepse vetë drafti si dhe angazhimi i BE-së dhe SHBA bëhet fjalë për tentimin për arritje të një marrëveshjeje ndërshtetërore, e cila do të jetë ligjërisht e obligueshme” , theksoi, mes tjerash, profesor Hyseni.

Lidhur me këtë situatë që ndodhet Kosova, profesor Bytyqi vlerëson se Kosova është në një pozicion më të favorshëm. Ai vuri në dukje se dikur Serbia bënte marrëveshje duke nënshkruar ato me palët e treta e jo drejtpërdrejtë me Kosovën.

“Ekziston rreziku që negociatat për anekset të sabotohet e tërë marrëveshja”, deklaroi Seb Bytyqi.

Avantazhi, sipas Bytyqit, në këtë proces është se Kosova nuk do të pengohet në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

“Ajo çfarë duhet të ndodhë është se duhen qartësuar pasojat në rast të dështimit të procesit negociator”, sqaroi më tej Bytyqi.

E profesor Artan Mustafa lidhur me situatën e krijuar tani vlerëson se është detyrë e liderëve të punojnë për paqe, ndonëse, sipas tij, e gjithë trysnia është mbi kryeministrin e Kosovës, sepse "po formohet Asociacioni, që është ngjarja më kritike që prej shpalljes së pavarësisë, pa pasur zotim për ndonjë njohje a ulëse në OKB".

“Thelbi i kësaj marrëveshjeje është Asociacioni", shtoi ai, derisa shtoi se është pritur se kush do të jetë në pushtet, që të bëhet krijimi i një autonomie asimetrike në Kosovë”.


MË SHUME NGA Lajme