Ende e pakonfirmuar përfshirja e Kosovës në agjendën e KiE-së |Video
Edona Podvorica /RTK
Në prag te takimit te Ohrit janë shtuar zërat që thonë se arritja eventuale e një marrëveshje do ta ndihmonte Kosovën sidomos në aspektin e integrimeve evropiane. E në këtë rrafsh si rezultat i parë shihet anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Madje njohësit e proceseve integruese thonë se nga kjo varet nëse Kosova do të jetë edhe në agjendën e samitit të katërt të Këshillit të Evropës, që mbahet më 16 dhe 17 maj në Islandë.
Tash kur e gjithë vëmendja është përqendruar tek arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kur pritjet janë te mëdha që palët t?i hapin rrugë një marrëveshje përfundimtare, diplomatë të ndryshëm thonë se nga kjo varet edhe rruga e integrimit të Kosovës me instancat e BE-se dhe mekanizma të tjerë.
Ka disa muaj që Kosova është duke pritur një përgjigje sa i përket anëtarësimit të saj në Këshill të Evropës, por që ky institucion nuk ka ende një përgjigje për këtë.
Madje nuk dihet nëse Kosova do të jetë edhe pjesë e agjendës në samitin e katërt të këtij këshilli që mbahet në maj. Në një përgjigje për RTK-në, Këshilli i Evropës thotë se në këtë kohë s’kanë çfarë të deklarojnë për këtë proces, që ata e konsiderojnë konfidencial.
“Kërkesa për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës po shqyrtohet nga Komiteti i Ministrave, në përputhje me rregullat përkatëse. Diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale. Nuk ka asgjë të re sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim e që mund ta bëjmë publike në këtë moment”, ka thënë Dushan Vojnoviq nga Këshilli i Evropës.
Deputeti i VV-së, anëtar i komisionit për integrime evropiane, Agon Batusha, pret që Kosova të përfshihet në agjendë dhe që ky proces të përfundojë me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Por anëtarja e komisionit për punë të jashtme nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj, thotë se zvarritja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është krejt politike.
Se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës por edhe në mekanizma të tjerë varet nga marrëveshja përfundimtare me Serbinë dhe se fokusi aktual është pikërisht në këtë çështje, e thonë edhe njohësit e proceseve integruese.
“Unë gjykoj se ndoshta do të na duhet të presim edhe një kohë,sepse nuk është fokusi te ajo, kjo nuk do të thotë qe nuk kemi mbështetje nga vende të ndryshme ,por fokusi aktual nuk është pranimi në Këshillin e Evropës”, thotë Emrush Ujkani, njohës i integrimeve.
Ndërkohë në dy ditët e fundit në Strasburg po qëndron kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili në takimet që ka pasur me zyrtarë të lartë, ka thënë se ka marrë mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës. E çfarë do të ndodhë, mbetet të shihet më 16 dhe 17 maj në Reykjavik të Islandës, ku do të mblidhen kryetarë të Shteteve dhe Qeverive të Këshillit të Evropës.























