Diplomatët ndërkombëtarë presin rezultate nga takimi i Ohrit
Naser Mekolli/RTKlive
Për takimin e sotëm në Ohër mes Kosovës, BE-së e Serbisë, kanë reaguar dhe diplomatë të ndryshëm botëror, si Përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg e ambasadori britanik në Kosovë.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell i cili po ndërmjetëson takimin e nivelit të lartë në mes Kosovës e Serbisë në Ohër, shkroi në Twitter se -“sytë e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor janë sot në Ohër”.
Borrell deklaroi se pas punës së bërë përmes “diplomacisë fluturuese”, sot në Ohër do të diskutohet me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq për aneksin e zbatimit që është pjesë integrale e Marrëveshjes, e që -“hap rrugën për normalizimin e raporteve”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është deklaruar në lidhje me rëndësinë e takimit të sotëm të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Ohër.
Ai, në të një postimi në Twitter, ka deklaruar se pret nga Kurti dhe Vuçiq angazhim për progres, pasi sipas tij, ky është çelësi për të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të rajonit.
“Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian në Ohër janë të rëndësishme dhe unë pres nga Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të bërë progres", deklaroi Stoltenberg. "Ky është çelësi për stabilitetin e qëndrueshëm dhe të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të rajonit. NATO - KFOR vazhdon të punojë për një Kosovë stabile dhe paqësore”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.
Ndërkaq, ambasadori i Britanisë së Madhe në në Kosovë, Nicholas Abbott, reagoi në rrjetet sociale, pak para nisjes të takimeve në Ohër të Maqedonisë së Veriut, mes Kosovës, BE-së e Serbisë.Diplomati britanik u shpreh se një rezultat pozitiv nga bisedimet e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mund të ndodhë me vullnet politik, guxim dhe pragmatizëm të Kurtit dhe Vuçiqit.
Ai tha se nga marrëveshja do të përfitojnë të gjithë qytetarët dhe komunitetet.
Sipas tij, Britania e Madhe mbështet Bashkimin Evropian si lehtësues i dialogut dhe është e gatshme të ndihmojë në zbatimin.