Begaj për marrëveshjen në Ohër: Një garanci më shumë për paqen
N.Mekolli /RTKlive
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përshëndetur dakordimin për Aneksin e implementimit të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur të shtunën në Ohër.
“Përshëndes arritjen në Ohër të Maqedonisë së Veriut të dakordësimit publik mes Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimit për të zbatuar marrëveshjen bazë dhe të aneksit përkatës”.
Ky dakordësim, sipas presidentit Begaj, është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian.
“Besimplotë se garantët e këtij dakordësimi do ta bëjnë atë të detyrueshme e të zbatueshme nga palët. Falenderoj Bashkimin Evropian për ndërmjetësimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e fuqishme”, ka shkruar Begaj në Facebook
Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur.