Një muaj paraburgim për personin që dyshohet se dogji shtëpinë e Selimit
RTKlive
(E plotësuar) Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarit A.L (42-vjeçar), nën dyshimin se ia dogji shtëpinë e redaktorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Alban Selimi.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për RTKlive se ndaj të dyshuarit gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë për paraburgim.
I dyshuari për zjarrëvënie në shtëpinë e Selimit sillet para Gjykatës
Qëndresa Duraku RTK
(E plotësuar) Në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë është sjell i dyshuari A.L për zjarrëvënie në shtëpinë e redaktorit të redaksisë hulumtuese në RTK, Alban Selimi.
Seanca është duke u mbajtur prapa dyerve të mbyllura ku mediet nuk u lejuan të jenë prezent.
Kërkohet paraburgim për personin që dyshohet se dogji shtëpinë e Selimit
E.Hoti/ RTKlive
Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit, i cili dyshohet se ia dogji shtëpinë e gazetarit Alban Selimi. 
Lajmin për RTKlive e ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj. “Për rastin e gazetarit Selimi, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit ndaj të pandehurit, për shkak të veprës penale “Zjarrvënia”, tha Ulaj.
Ndryshe gazetari Selimi të enjten mbrëma përmes rrjetit social ka reaguar se dikush ka tentuar ta frikësojë atë me këtë akt. “Dikush ia vuni flakën; me s’frikësua. S’ia arrijnë qëllimit!”, ka shkruar Selimi.
I dyshuari me inicialet A.L 42 vjeçar u arrestua të shtunën nga ana e policisë. “Sot hetuesit e stacionit policor të Fushë Kosovës, kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën zjarrvënie të raportuar me datën 16.03.2023, në Fushë Kosovë. Personi i arrestuar: A. L mashkull, 42 vjeç”, thuhej në njoftimin e policisë.























