Ekspozitë për “Prishtinën e vjetër” në Muzeun Kombëtar
RTKlive
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka njoftuar se në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës po mbahet ekspozita me fotografitë e zhvillimit të qytetit të Prishtinës ndër vite dhe takim i përbashkët me qytetarët e Prishtinës.
“Ky aktivitet organizohet në kuadër projektit për hartimin e Planit të Menaxhimit të Qendrës Historike të Prishtinës dhe ka për synim identifikimin e shënjuesve të rëndësishëm në qytet, përfshirë rëndësinë që kanë për qytetarë ndërtesat, hapësirat publike, rrugët por edhe aspektet jo-fizike.
E gjithë kjo do t’i shërbejë konsolidimit të kufijve të qendrës historike dhe zonës mbrojtëse të saj dhe së bashku me studimin preliminar të strukturës urbane do të hapin rrugë drejt përcaktimit të kategorive të ndërhyrjes për strukturën urbane të qendrës historike dhe menaxhimit të integruar të saj” ,thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Ky projekt i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe i mbështetur nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë, synon integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor për zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës.