Shoqëria civile: Raporti i DASH-it realist, sistemi i drejtësisë po dështon
Pajtim Çuni / Radio Kosova
Korrupsioni serioz qeveritar dhe jo efikasiteti i gjyqësorit në luftimin e korrupsionit, janë vërejtje kyçe të theksuara në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut, në pjesën për Kosovën.
Nga shoqëria civile thonë se raporti është realist dhe tregon se si sistemi i drejtësisë, në disa raste, po dështon në luftimin e korrupsionit ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë.
Përkundër ndryshimeve që mund të kenë ndodhur, prania e korrupsionit tek zyrtarët qeveritar dhe luftimi i pa-mjaftueshëm i kësaj dukurie nga sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë evidente në Kosovë. Kjo theksohet edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut, për vitin 2022.
“Kanë qenë disa raste të raportimit të korrupsionit në nivel qeveritar. Zyrtarët ndonjëherë janë përfshirë në praktika korruptive, pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe brishtësia për zbatim të ligjit ka rezultuar me probleme”, thuhet mes tjerash në pjesën e raportit për Kosovën.
Pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile në vend thonë se raporti i DASH-it është realist. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë për Radio Kosovën se raporti shpërfaq fakte se si drejtësia po dështon të luftoj korrupsionin ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë publik.
“Edhe tash, po thuajse po vazhdohet me avazin e vjetër. Ku, është e vërtetë se ka raste të korrupsionit të profilit të lartë që hetohen, ndiqen penalisht, por që më pas, në procedurat e më vonshme të gjykimit, shumica e këtyre rasteve dështojnë. Dështojë qoftë për shkak të aktakuzave të dobëta apo edhe mungesës së vullnetit dhe guximit të gjyqtarëve për të vënë drejtësi në këto raste”, tha ai.
Në raport përmenden parashkrimet e një numri të madh të lëndëve të korrupsionit në rastet e profilit të lartë. Këtë e thekson edhe Miftaraj, i cili thotë se për këtë problematikë IKD kishte reaguar paraprakisht.
Edhe Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja FOL thotë se raporti është realist, e ku janë të përfshira disa alarme të ngritura nga shoqëria civile.
“Nga ajo që pamë në këtë raport është se ka edhe shembuj konkret që edhe vet organizatat e shoqërisë civile kanë ngritur ta them ashtu alarmin për korrupsion politik apo edhe për parashkrim të lëndëve në gjykata. Prandaj, është një ritheksim ndoshta edhe i shumë gjërave që ne në Kosovë i themi, por që nuk merren fort në konsideratë kur i themi ne”, tha ajo.
Në raportin e DASH-it, në pjesën për korrupsion, janë përmendur edhe dy hetime të mëdha korrupsioni në kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Hetimet kanë rezultuar me arrestimin e 74 zyrtarëve të Policisë së Kosovës, dy zyrtarë të Doganave të Kosovës dhe 34 zyrtarëve të Policisë së Shqipërisë", thuhet në raport, ku përmendet edhe gjykimi i nisur më 2019 ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, që ende s’ka epilog.























