Rama kërkon sqarime në OKB: S’ka Beograd-Prishtinë, por Kosovë-Serbi
Foto: Arkiv
Lajme

Rama kërkon sqarime në OKB: S’ka Beograd-Prishtinë, por Kosovë-Serbi

Atsh/m.sh/Rtklive

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi mbrëmjen e sotme ndaj një deklarate të zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në lidhje me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, që është cilësuar si “marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës”.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Kryeministri shtron pyetjen nëse përdorimi i termave me emrat e kryeqyteteve, dhe jo të shteteve, është gabim serioz apo lapsus.

Rama thekson gjithashtu se, emërtimi zyrtar i saj është “Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”.

”Beogradi dhe Prishtina”?! Një gabim serioz apo një lapsus? Emërtimi zyrtar i saj është “Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi” dhe do të ishte e papranueshme nëse Sekretari Gjeneral i OKB-së nuk e ka përdorur qëllimisht emërtimin e duhur. Ju lutem, jepni menjëherë sqarim”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.

Reagimi i Ramës pason deklaratën e sekretarit të Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili ka mirëpritur dakordimin që u arrit në Ohër më 18 mars mes Kosovës dhe Serbisë për aneksin për zbatimin e propozimit evropian.

“Është e rëndësishme që tani të dyja palët të punojnë me shpejtësi dhe mirëbesim për t’i realizuar të gjitha obligimet e përcaktuara në marrëveshje, për të mirën e të gjithëve”, ka thënë Guterres.


MË SHUME NGA Lajme