Miratohet edhe Raporti i ZRRE-së për energji, përfundon seanca|Video
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Miratohet edhe Raporti i ZRRE-së për energji, përfundon seanca|Video

A.B &N.M. / RTKlive

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan sot me 61 vota edhe Raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për vitin 2021.

Më herët deputetët e Kuvendit miratuan edhe dy pika nga ato të papërfunduara nga seancat e mëparme plenare, e mbajtur më 19 janar 2023: raportin vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2021, si dhe raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Pas miratimit të disa raporteve e projektligjeve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e shpalli të mbyllur seanca e sotme parlamentare.

Miratohet edhe Projektligji për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse

(E plotësuar) Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan sot edhe piken e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 2 shkurt 2023: Projektligjin nr.08/L-200 për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitës.

Nga 67 deputetë sa ishin në sallë, të gjithë kanë votuar për, njoftoi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Arsyetimin për miratimin e projektligjit për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitës, e bëri ministri i shëndetësisë, Arben Vitia.

Më herët deputetët e Kuvendit miratuan edhe dy pika nga pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 19 janar 2023: raportin vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2021, si dhe raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Pas kësaj seanca po vazhdon me Shqyrtimin e Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2021.

Kuvendi miraton raportin e Komisionit Parlamentar për energji

(E plotësuar) Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan sot edhe raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Nga 72 deputetë sa ishin në sallë, 69 prej tyre kanë votuar për, ndërsa kanë abstenuar dy deputetë njoftoi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Më herët deputetët e Kuvendit miratuan raportin vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2021.

Pas kësaj seanca po vazhdon me shqyrtimin e pikave tjera, të mbetura nga mbledhjet e mëhershme.

Kuvendi miraton raportin vjetor të KQZ-së, vazhdon me pikat tjera

(E plotësuar) Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në vazhdimin e seancës plenare, miratuan sot raportin vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2021.

Nga 68 deputetë sa ishin në sallë, 67 prej tyre kanë votuar për, ndërsa vetëm një ka abstenuar, njoftoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Pas kësaj seanca po vazhdon me shqyrtimin e pikës për raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë, si dhe do ta përzgjedhin një anëtar jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës e cila është shtyrë shumë herë deri tani.

Deputeti Fatmir Humolli, është larguar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje. Në seancën e sotme, Ai është parë i ulur në karriget e deputetëve të opozitës. Humolli ende nuk e ka dorëzuar dorëheqjen në grupin parlamentar.

Nis seanca e Kuvendit

(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës ka nisur me seancës plenare, ku në rend dite janë dhjetëra pika nga seancat e kaluara.

Mes tjerash, deputetët do ta votojnë raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë, si dhe do ta përzgjedhin një anëtar jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Në rend dite janë pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara

Vazhdon seanca e Kuvendit, në rend dite raporti për energjinë

Sot Kuvendi i Kosovës, do të vazhdojë punimet e seancës plenare, ku në rend dite janë dhjetëra pika nga seancat e kaluar.

Deputetët do të votojnë, raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përzgjedhin një anëtar jo ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shqyrtimin e Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, etj.

Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 19 janar 2023 janë:    Votimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, raporton RTKlive. Po ashtu Kuvendi do të bëj shqyrtimin e raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 2 shkurt 2023: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitës, shqyrtimi i Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.

 Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur më 9 shkurt 2023: . Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mjekësinë Ligjore, shqyrtimi i rekomandimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Komunikimet Elektronike, përzgjedhja e një (1) anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 shkurt 2023: Votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, shqyrtimi i parë i Projektligjit për parqet industriale dhe teknologjike, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për investime të qëndrueshme, Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C.”, Shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Propozimi i GP “Multietnik” për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekim Arifi.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 9 mars 2023: Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021, Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”, raporton RTKlive. Po ashtu Kuvendi bën shqyrtimin e rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP “Trepça Sh.A”, emërimi i drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, shqyrtimi i Projekt-Deklaratës në mbështetje të Fondit Kosovaro-Amerikan për Arsim (KAEF).

 

 


MË SHUME NGA Lajme