Mehaj takon një delegacion nga Komanda Evropiane e Forcave Amerikane
Fadil Sertolli / RTKlive
Në një njoftim për media nga Ministria e Mbrojtës bëhet e ditur se ministri Armend Mehaj bashkë me Inspektoren Gjenerale, Irfete Spahiu kanë takuar një delegacion nga Komanda Evropiane e Forcave Amerikane (EUCOM), të udhëhequr nga Zëvendës Këshilltarja Civile për Politikë të Jashtme, Ambasadorja Kate Byrnes dhe Drejtori për Strategji, Plane dhe Politika në EUCOM, Gjeneral Major Daniel Lasica.
Në këtë takim, thuhet se është diskutuar lidhur me situatën e sigurisë në vend dhe rajon, ndikimin e luftës së Ukrainës, si dhe për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në Grupin e Kontaktit për Ukrainën.
Ndër të tjerash, Ministri Mehaj ka njoftuar Ambasadoren Byrnes lidhur me përmbylljen me sukses të fazës së parë të Planit Gjithëpërfshirës së Tranzicionit, i cili është hartuar bashkërisht me Institutin për Qeverisje të Sigurisë (ISG), përgatitjen që po bëhen për realizimin e ushtrimit Defender '23.
“Po ashtu e kam njoftuar për bashkëpunimin që kemi me shtetet partnere dhe synimet që FSK të realizoj sa më tepër misione të përbashkëta me forcat aleate, me qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale e operacionale të FSK-së, në funksion të përmbushjes së objektivit tonë për t'i shërbyer paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë”, ka thënë Mehaj.
“Jemi mirënjohës gjithmonë për mbështetjen që SHBA ka ofruar dhe vazhdon të ofroj në të gjitha proceset e rëndësishme për integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat euro-atlantike, në Programin e Partneritetit për Paqe dhe në NATO”, tha Mehaj.