Uzuni para ndeshjes me Poloninë: Dua të shënoj
Uran Krasniqi / RTKLive
Myrto Uzuni, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, ka thënë se ka dëshirë të shënojë në Poloni.
Ai së bashku me bashkëlojtarin tjetër, Anis Mehmetin, kanë mbajtur konferencë për shtyp para fillimit të fushatës kualifikuese të Shqipërisë për Euro 2024.
"Kam shënuar 20 gola dhe nuk kam mbaruar me kaq. Sa i përket Kombëtares jam shumë i lumtur që jam ftuar. Të përfaqësosh vendin, familjen, kombin, është gjëja më e madhe për një futbollist. Sa i përket pozicionit në fushë, ndihem më mirë tani, pasi shënoj gola dhe i shfrytëzoj të gjitha mundësitë e mia. Ndihem më mirë si qendërsulmues", ka thënë Uzuni.
Ai ka thënë se plani i trajnerit brazilain për lojën e Shqipërisë në Varshavë është që të sulmohet.
"Të them të drejtën siç e shoh unë tani do të luajmë një ndeshje ofensive dhe jo defensive”, është shprehur Uzuni.
Futbollisti tjetër, Anis Mehmeti, ka thënë se e vlerëson Poloninë, por nuk i frikësohet. “Polonia ka një skuadër shumë të fortë, por ne jemi të përqëndruar tek ajo që do bëjmë ne në fushë. Ata kanë Lewandovski-n, por ne jemi gati të luajmë lojën tonë”, është shprehur ai.