Rexhepi: Duhet mirëpritur këshillat nga miqtë e Kosovës
Foto: RTKlive
Lajme

Rexhepi: Duhet mirëpritur këshillat nga miqtë e Kosovës

J.Musliu/RTKlive

“Kosova duhet që me seriozitet t’i marrë parasysh obligimet që dalin nga marrëveshjet e nënshkruara nga viti 2011”. Kështu deklaroi Fisnik Rexhepi,njohës i rrethanave politike në vend.

Në magazinën informative “Lajmet e Fundit” në RTK, Rexhepi u shpreh se  Kosova ka marr obligim që në kuadër të dialogut të zbatojë marrëveshjet dhe të vendos nivelin adekuat për vetëmenaxhim të serbëve lokalë, duke punuar për statutin e Asociacionit.

“Por  duke punuar ngushtë me faktorin ndërkombëtar, duke mos lejuar përsëritjen e skenarëve të vendeve të rajonit”, tha Rexhepi në RTK.

Ai u shpreh se duhet mirëpritur çdo këshillë nga faktori ndërkombëtar dhe miqtë e Kosovës.

Rexhepi deklaroi më tutje në magazinën informative “Lajmet e Fundit” se roli i SHBA-së është kyç, dhe se ata kanë qenë gjithmonë të përfshirë që nga viti 2011 kur kishte nisur dialogu teknik.

Duke folur për marrëveshjen e fundit mes Kosovës e Serbisë, Rexhepi tha se nëse shihet nga aspekti kronologjik, ky proces ka qenë që të përfundojë me njohje reciproke në qendër.

“E nga ajo kemi përfunduar në marrëveshje të përkohshme e cila ka elemente pozitive që njeh realitetin e Kosovës në disa segmente, por nuk është ai rezultat për të cilin është punuar dhe është pritur”, tha Rexhepi, duke shtuar se kjo ka ndodhur për shumë çështje, përfshirë edhe ato gjeopolitike.

“Por edhe për qasje strategjike të gabuar nga ana e Kosovës në këtë proces”.

Ai u shpreh se është praktikë e ka raste të tilla kur marrëveshjet dakordohen edhe pse nuk nënshkruhen. “Por kjo ndodhë në rastet kur palët kanë nivel të lartë të mirëbesimit, por në këtë rast kjo mungon”.

Ai deklaron se edhe dakordimi që është bërë, është bërë me rezerva sepse ka pasur menjëherë deklarata nga krerët e shtetit serb, se do të zbatojnë në mënyrë selektive marrëveshjen.

 “E kjo mund të cenojë gjithë procesin”.

 


MË SHUME NGA Lajme