24 vjetori i bombardimeve ndaj Serbisë, lufta dhe liria e Kosovës
Foto: Bombardimet kundër Serbisë/Arkiv
Në Fokus

24 vjetori i bombardimeve ndaj Serbisë, lufta dhe liria e Kosovës

Arbenita Marmullaku/Radio Kosova

Në shënimin e 24 vjetorit të fushatës ajrore të NATO-s mbi forcat serbe, kujtojmë atë ditë që solli lirinë e popullit të Kosovës, ndërsa u vlerësua si ditë që ndryshoi edhe historinë e Aleancës Veri-atlantike. Derisa në qarqet diplomatike u ngrit dilema nëse NATO kishte shkelur sovranitetin e ish Jugosllavisë, ajo ishte e bindur se nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, përkundrazi, ishte mbështetur në të kur vendosi ta bombardojë ish Jugosllavinë në vitin 1999.

Pas Masakrës së Reçakut, më 15 janar të viti 1999, asokohe, shefi i OSBE-së në Prishtinë, William Woker, pasi ishte në vendngjarje dhe kishte parë masakrën e 45 shqiptarëve civilë të bërë nga forcat serbe, e kishte quajtur “krim kundër njerëzimit”. Pas kësaj, ai kishte kërkuar edhe mbledhje urgjente në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. 

Ndërkohë, më 6 shkurt të vitit 1999, i filloi punimet Konferenca e Rambouillet, takim ky, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, ku  synohej zgjidhja e krizës në Kosovë.

Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin: Cristopher Hill nga SHBA-ja, Boris Majorski nga Rusia, dhe Volfang Petrich, përfaqësues i shteteve të BE-së.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, ndërsa delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, e mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos t’u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Pa sukses, kaloi edhe rrethi i dytë i bisedimeve që filloi më 15 mars. As tentimi i fundit, më 22 mars 1999, i të dërguarit special të SHBA-së, Richard Hollbruk, nuk ishte i suksesshëm. Ai kujton një detaj gjatë një bisede me presidentin e ish Jugosllavisë, Sllobodan  Millosheviç, se ai nuk besonte që do të kishte intervenim ushtarak nëse ai nuk do t’i ndalonte masakrat në Kosovë.

“Në një pikë Millosheviqi do të deklaronte se a jeni aq të marrë sa të na bombardoni, rreth këtyre zhvillimeve që po ndodhin në një Kosovë që është aq e parëndësishme. Dhe unë i thashë “Të jesh i bindur që jemi aq të marrë, që të bëjmë një gjë të tillë”, kishte deklaruar Holbroke.

Më 23 mars, në orët e vona, diplomati amerikan, Holbrooke, do të rikthehej në Bruksel duke njoftuar se bisedimet e paqes dështuan dhe kështu ia dorëzoi çështjen formalisht NATO-s për veprime ushtarake.

Po atë natë, pak para mesnate, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, lajmëroi se kishte urdhëruar Komandantin Suprem Aleat të Evropës, gjeneralin e Ushtrisë Amerikane, Wesley Clark, që të “nisë operacionet ajrore në Republikën Federale të Jugosllavisë”.

Më 24 mars 1999, në orën 20:00, NATO e nisi fushatën bombarduese kundër Jugosllavisë. Ishin këto raketat e NATO-s që ishin nisur nga Napoli i Italisë drejt hapësirave të ish Jugosllavisë. Cak kishin ushtrinë serbo-jugosllave në Kosovë dhe në Serbi. Ishte ky operacioni i parë i NATO-s në historinë e saj 50 vjeçare, kundër një shteti sovran.

Një sulm, ky që nisi pa miratimin e plotë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por për të cilin SHBA-ja dhe aleatët perëndimorë ishin të vendosur. Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë ishte gjenerali Wesley Clark. Ai e përshkruan kështu mbrëmjen e 24 marsit ‘99.

“Nga Uashingtoni më thirrën në orën 17 e 31 minuta. Ishte kryesuesi i shtabit të bashkuar, Henri Shelton, i cili përcolli urdhrin përfundimtar. Ves, tha ai, ke urdhër, nisja?Mund ta paramendoja situatën, aeroplanët B52 të vetmuar në lartësi, tomahamkat, raketat taktike të flotës detare për sulme në tokë. Ishte ky një sulm i sinkronizuar. Do ta verbonim ushtrinë jugosllave duke nxjerr jashtë loje radarët e saj dhe duke i gjymtuar ata me shkatërrimin e sistemeve të raketave kundërajrore. Pak pas orës 19, më telefonuan nga shtabi qendror në Napoli. Raketat u lansuan!”, pati deklaruar Clark.

Liderë të ndryshëm botërorë deklaronin se kjo ndërhyrje e NATO-s ishte bërë për qëllime humane. Kjo ndërhyrje shënon edhe hapjen e një debati në lidhje me legjitimitetin e ndërhyrjes ndërkombëtare ndaj një shteti sovran siç ishte Serbia.

Presidenti amerikan, Bill Clinton, atë ditë, më 24 mars ’99,  do të thotë se ky intervenim po bëhej për të shpëtuar ekzistencën e shqiptarëve të Kosovës, nga regjimi i Millosheviçit.

“Sot forcat tona iu bashkuan aleatëve të NATO-s në sulmet ajrore kundrejt Serbisë, përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Kemi vepruar me vendosmëri për disa arsye. Kemi vepruar për të shpëtuar mijëra njerëz në Kosovë nga ofensiva ushtarake, për të parandaluar një luftë më të gjerë, kemi reaguar me aleatët tanë për paqen, duke vepruar tani ne mbrojmë vlerat dhe interesat tona si dhe shtyjmë përpara çështjen e paqes“, ka thënë Clinton.

Ndërsa asokohe presidenti rus, Boris Yeltsin, do të deklaronte se sulmi mbi ish Jugosllavinë, ishte sulm kundër sovranitetit të një shteti.

“Intervenimi i NATO-s në Kosovë, është goditje për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Po i drejtohem të gjithë botës dhe të gjithë atyre njerëzve që kanë përjetuar luftën dhe gjithë faktorëve ndërkombëtarë që ta bindim presidentin amerikan, Klinton, që të mos e bëjë një akt të tillë. Kjo është një goditje serioze e cila mund të provokojë sulme edhe më të mëdha dhe është goditje ndaj sovranitetit të një shteti”, kishte deklaruar Yeltsin.

E profesori i të Drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se nuk ka asnjë dilemë se ndërhyrja ishte legjitime.

“Në kuptimin e legjitimitetit mendoj se nuk ekziston as më e vogla dilemë, sepse përmes këtij veprimi u shpëtua nga shfarosja një popull i tërë dhe kjo legjitimon edhe në kuptimin humanitar edhe në atë moral, por edhe në kuptimin politik ndërhyrja që iu bë një shteti agresor”, tha Hoti.

Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, tha se ky përvjetor  i angazhimit të NATO-s karshi çështjes së Kosovës, tregon përpjekjen e afro dy viteve të luftës çlirimtare në Kosovë. Peshë të veçantë ka për faktin se sot shteti i Kosovës është pranuar ndërkombëtarisht dhe ka një aleancë me shtetet perëndimore.

“Mund të theksoj se Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, janë akte të cilat shprehimisht e theksojnë se çfarë shteti sot është Kosova. Përpjekjet tona po kurorëzohen me suksese që kanë të bëjnë me miqësi ndërmjet shteteve mike dhe është më rëndësi që ne si pjesë e Ballkanit Perëndimor, t’i kemi këto aleanca me shtetet perëndimore. Njëherë, kemi treguar seriozitet në shtet ndërtim, duke qenë falënderues karshi shteteve anëtare të NATO-s më pastaj edhe atyre të Unionit Evropian që ndajnë të njëjtat aspirata dhe gjithë popullata, por edhe institucionet dhe liderët institucionalë kanë po të njëjtin përkushtim ashtu si edhe gjithë bota perëndimore”, tha Pulai. 

Përgjatë 78 ditëve të sulmeve ajrore të NATO-s, Serbia intensifikoi sulmet ndaj UÇK-së dhe civilëve shqiptarë. Qindra mijëra refugjatë shqiptarë, përjetuan dramën e eksodit në Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi. Në kushte të rënda jetese, nëpër kampe tashmë të shfaqura si imazhet të cilat ishin në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, refugjatët kosovarë të vetmen shpresë e kishin tashmë tek aeroplanët ushtarakë të NATO-s, të cilët po vazhdonin sulmet.

Gjithçka përfundoi në fillim të qershorit 1999, kur Millosheviçi nënshkroi kapitullimin e tij. Pranoi Marrëveshjen e Kumanovës për t'u hapur rruga e miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. E në këtë muaj, forcat tokësore të NATO-s hynë në Kosovë për të filluar ndërtimin e paqes.


MË SHUME NGA Në Fokus