Edicioni i 23-të i Javës së Frankofonisë në Kosovë
Lumira Kelmendi|RTK
Skena kulturore në muajin Mars përshkohet me atmosferë frankofone…edicioni i 23-të i Javës së Frankofonisë në Kosovë edhe këtë herë prezanton para publikut program të pasur që ka te bëjë më kulturën franceze dhe Frankofoninë në përgjithësi. Këtë vit, Peja është përzgjedhur të jetë kryeqyteti i Frankofonisë, ku do të mbahen aktivitete të shumta.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur se “Historia e botës është shumësia e krijimeve në gjuhë, si dhe jam i bindur që në gjuhën frënge, janë shënuar njohuri të mëdha dhe vetë-ndërgjegjësim i gjerë... individë të shquar kanë regjistruar në frëngjisht zbulimet e tyre të njerëzimit. Për mendimin tim, kjo përbën rëndësinë e frankofonisë, si dhe një pjesë e mirë e Kosovës që ka kontribuar në të”.
Ambasadori i Francës në Kosovë ka shtuar se “Frankofonia përfaqëson llojllojshmërinë dhe mënyrën e të mësuarit e gjuhës frënge. Kjo gjuhë është globale, sepse flitet nga 320 milion folës në mbarë botën në 32 vende që e përdorin këtë gjuhë”. Frankofonia është një lloj atmosfere në vete dhe pikërisht kjo fjalë është zgjedhur të përdoret si moto e Javës së Frankofonisë.
Programi i pasur i këtij edicioni përbëhet nga aktivitete të ndryshme si: koncerte, filma, debate, konferenca, që për temë kryesore kanë: kulturën, turizmin, arsimin, shkencën, diplomacinë sportive, inovacionin dhe projektet evropiane.
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë Thomas Kolly ka thënë se: Zvicra ka kënaqësinë që merr pjesë në Javën e Frankofonisë. Përfaqësimi i diversiteti gjuhësor të Zvicrës në Kosovë, dhe prezantimi i filmave para një numri të madh të publikut është një moment i veçantë për ne.
Përderisa, përfaqësuesja nga Ambasada e Kanadasë në Kosovë, Nathalie Nidoba, ka deklaruar se kjo Ambasadë ka kënaqësinë t’i bashkohet programit të pasur të Javës së Frankofonisë në Kosovë, ku do të shfaqet edhe një film kanadez. Këto aktivitete i japin Kanadasë mundësinë të shfaqë përkushtimin e saj para komunitetit ndërkombëtar frankofon. Muaji i Frankofonisë na rikujton, rolin e rëndësishëm që luan frankofonia për promovimin e paqes, demokracisë, të drejtave të njeriut etj.
Kosova është anëtare e Organizatës Botërore të Frankofonisë që nga viti 2014, duke u bërë pjesë e ngjarjes së rëndësishme Javët e Frankofonisë, aktivitet ky që shënohet çdo vit në muajin mars, në më shumë se 70 vende të botës, nga 5 kontinentet
Julien Sassel nga Ambasada e Belgjikës në Kosovë, shprehu kënaqësinë që Belgjika i kushton gjithë rëndësinë frankofonisë dhe gjuhës frënge. Njohja e gjuhëve është një pasuri e vecantë si për Kosovën ashtu edhe për Belgjikën, për të njohur kulturën e vendeve. E veçantë në këtë edicion të Frankofonisë është edhe përfshirja e festivalit Ballkan Traffic që mbahet në Belgjikë.
Ndërsa, Eric Dietz-përfaqësues nga misioni diplomatik i Luksemburgut në Kosovë, ka deklaruar se është kënaqësi që ky vend merr pjesë në këtë edicion të Frankofonisë me moton Atmosferë. Luksemburgu, sikurse Kosova është një vend i vogël, shumëkulturor dhe shumë gjuhësor. Frëngjishtja është një ndër gjuhët më të rëndësishme ndërkombëtare.
Përgjatë viteve, Java e Frankofonisë fokusin kryesor e ka pas në Prishtinë, përderisa vitin e kaluar është mbajtur në qytetin e Prizrenit, ndërsa këtë vit është përqëndruar në qytetin e Pejës dhe pse jo viteve të ardhshme edhe në qytete të tjera të Kosovës.
Valon Ibraj-atashe kulturor në Ambasadën e Italisë në Kosovë ka shtuar se “E veçanta e këtij edicioni është se do të flitet edhe për birrë, për sportin, zhvillimin ekonomik, turizmin, kulturën në përgjithësi dhe gjithë kjo përmes atmosferës së konferencave të ndryshme, debateve, koncerteve dhe filmave që sjellë programi i Frankofonisë këtë vit”.
Ngjarje të ndryshme artistike dhe kulturore do t’i mundësojnë publikut të vlerësojë dinamizmin e rrjetit frankofon, pasurinë e gjuhës frënge dhe kulturën frankofone. Program i larmishëm me aktivitete të ndryshme siç janë konferencat, aktivitetet e gastronomisë, punëtoritë e gjithashtu edhe shfaqja e filmave e karakterizojnë “Javën e Frankofonisë në Kosovë”.
Donato Giuliani këshilltar për bashkëveprimtari kulturore në Ambasadën e Italisë në Kosovë, ka thënë se po punojnë fuqimisht, rreth dy vjet e gjashtë muaj për një plan strategjik për një ndërlidhje me një rajon të veçantë në Francë, që është La Regione Oud de France, pra veriu i Francës. “Pra, është vendi më i mirë për bashkëpunim, si dhe kemi po ashtu diasporë të mrekullueshme që jeton në atë rajon, që na mbështesin, e me këtë, promovojmë lidhjet midis Universiteteve të artit, por edhe lidhjet ekonomike”.
Java e Frankofonisë në Kosovë organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Aleancën Franceze të Prishtinës, Komunën e Prishtinës, ambasadat dhe misionet diplomatike të Belgjikës, Zvicrës, Kanadasë, Luksemburgut dhe shumë partnerë tjerë nga Kosova dhe Franca. Kjo javë që ka filluar me 20 mars në Prishtinë, përmbyllet me shfaqjen e filmit “Ouistreham” të regjisorit Emmanuel Carrere në Kino Armata në Prishtinë me datën 26 mars.