Mehaj e Jashari në Epopenë e Dukagjinit
F. Sertolli / RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, së bashku me Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zv.komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi si dhe gjeneralë dhe oficerë të lartë të FSK-së, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kanë qëndruar sot në Gllogjan, në shënim të 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit.
Në nderim të të gjithë ushtarëve të UÇK-së të rënë për lirinë e vendit, të Zonës Operative të Dukagjinit, Ministri Mehaj, Gjeneral Jashari dhe delegacioni i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.
Më pas, ata vizituan familjen e lavdishme Haradinaj që dha aq shumë për lirinë e vendit, ku u pritën nga ish-kryeministri i Republikës së Kosovës dhe komandanti i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.
Ministri Mehaj me këtë rast tha se ishte lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për mbrojtjen e atdheut dhe krimet e vazhdueshme të okupatorit serb, ajo që bëri që aleanca më e fuqishme ushtarake në botë të vihet në mbështetje të vlerave perëndimore, të paqes, të lirisë e të demokracisë.
Dita e Epopesë së Dukagjinit, 24 Marsi i vitit 1998, si vazhdimësi e luftës së drejtë për çlirim të popullit shqiptar të Kosovës, një vit më vonë do të pasojë po në këtë datë fillimi i fushatës së bombardimeve të NATO-s e mbi caqet serbe, e cila së bashku me luftën e lavdishme të UÇK-së do të rezultojë me çlirimin e vendit.