Kurti: Të punojmë që brezat e ardhshëm mos t’i përjetojnë vuajtjet tona
Foto: Myrvete Axhami/RTK
Lajme

Kurti: Të punojmë që brezat e ardhshëm mos t’i përjetojnë vuajtjet tona

M.Sh/RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pra se të nisej për vizitë zyrtare në Tiranë, bëri homazhe te kompleksi e të rënëve në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël të Rahovecit. Në këto dy fshatra, më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, forcat serbe, masakruan 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore i dogjën. Masakrat në këtë dy fshatra, janë ndër më të tmerrshmet mbi popullsinë civile shqiptare.

Kryeministri Kurti tha se çdo fillim pranvere i kujtojmë ata që dhanë jetën e tyre, luftuan heroikisht për çlirimin e Kosovës, për lirinë, pavarësinë e për bashkimin tonë.

“Edhe këtu në Krushë, në vendlindjen e Bacës Ukë, të cilit i kemi aq shumë borxh për shkak se gjithë vepra e tij është vepër për jetën dhe përpjekën tonë politike... përulemi me shumë mall, dhimbje e pikëllim, por të njëjtën kohë edhe me shumë dashuri, krenari e admirim që i patëm këta burrë e gra në krye me Ukshin Hotin dhe e arritëm çlirimin e vendit dhe njëkohësisht e kemi edhe udhrrëfimin se si të ecim përpara pa u ndalur, pikërisht për shkak veprës, jetës dhe rënies së tyre me flijim e sakrificë”, ka thënë ai.

Kryeministri tha si institucionet duhet të punojnë më shumë që brezi i ardhshëm mos të kalojë nëpër vuajtjet që i ka kaluar ky brez.  

“Sot si institucione të Republikës e të Shtetit me përgjegjësi e me vetëdije bëhemi bashkë që brezi aktual i fëmijëve dhe brezi i ardhshëm i fëmijëve që nuk kanë lindur ende, të mos kalojnë nëpër këto vuajtje e dhimbje që kaluam ne, por të kenë një të ardhme të ndritshme, me një Kosovë, me një rajon, me një Evropë e cila është e lirë, e bashkua dhe e mbrojtur nga çfarëdo agresioni. Lavdi Ukshin Hotit dhe gjithë dëshmorëve të kombit”, deklaroi Kurti.

 

 

 


MË SHUME NGA Lajme