Begaj takon Kurtin: Zotimi i marrë në Ohër të respektohet plotësisht
Foto: Arkiv
Lajme

Begaj takon Kurtin: Zotimi i marrë në Ohër të respektohet plotësisht

M.Sh/RTKlive

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur në takim nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë vizitës që shefi i qeverisë kosovare po i zhvillon në Tiranë. Ishte presidenti shqiptar, Begaj që dha detaje nga takimi, që sipas tij, ishte rreth zhvillimeve të fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vlerësova lart maturinë dhe kurajon e treguar nga kryeministri Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë. Theksova se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian”, ka thënë.

Presidenti i Shqipërisë thotë se ka shprehur gjithashtu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht.

“Ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht”, ka deklaruar Gegaj pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

Duke e falënderuar për mikpritjen dhe bashkëpunimin e afërt, kryeministri Kurti e njoftoi presidentin Begaj për qeverisjen dyvjeçare dhe progresin e Kosovës, me theks në sundim të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe avancimin demokratik të vendit.

Sipas njoftimit për media, me Begajn pshtë diskutuar për takimin e lartë politik në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të datës 18 mars në Ohër. Me këtë rast, kryeministri Kurti e njoftoi presidentin Begaj për marrëveshjen e arritur, elementet e saj, dhe për qasjen e konstruktive që Kosova ka ndjekur në këtë takim, por edhe gjatë gjithë procesit.

Kryeministri Kurti në Tiranë, pritet nga presidenti Begaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në Tiranë, derisa në Presidencën e Shqipërisë është pritur nga presidenti Bajram Begaj. Sipas mediave atje, ky takim është parashikuar të zgjasë rreth 30 minuta, për të vazhduar takimin tjetër me kryeparlamentaren shqiptare Lindita Nikolla.

Ndërsa takimi tjetër do të jetë me kryeministrin Edi Rama. Ky takim nuk do të zhvillohet në Kryeministri, por do të jetë një drekë pune te vila qeveritare afër qeverisë. Pas drekës, Kurti do të ketë një takim edhe me kryetarin e Partisë së Lirisë dhe ish presidentin Ilir Meta.

Sipas informacioneve, në fokus të diskutimeve do të jetë marrëveshja me Serbinë.

Kurti viziton Tiranën, takohet me Begajn, Ramën e Nikollen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të vizitojë sot Tiranën. Gjatë kësaj vizite, ai do të zhvillojë takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin Bajram Begaj dhe me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla. Takimet fillojnë 11:00 në Kuvend.

Në Qeveri nuk japin më shumë detaje për vizitën në Shqipëri, përveç njoftimit zyrtar.

“Pas homazheve, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, udhëton për vizitë pune në Republikën e Shqipërisë, ku do të zhvillojë takime me krerë institucional”, thuhet në njoftim.

Mediet raportojnë se në fokus të takimit do të jetë marrëveshja me Serbinë e propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA. Për këtë marrëveshje, dy palët kanë rënë dakord në Ohër me 18 mars, dhe pse nuk e kanë nënshkruar.  


MË SHUME NGA Lajme