Prokuroria jep detaje rreth zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore
RTKlive
Përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, se vendit të ngjarjes iu kanë përgjigjur të gjitha njësitë relevante.
Në vend ngjarje kanë dalur ekipi i zjarrfikësve, Policia, ekspertët e zjarrit, Prokurori i Shtetit, drejtori i IML-së, si dhe eksperti i elektroteknikës, me ç’rast kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të këtij incidenti.
Sipas komunikatës Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime dhe në kuadër të veprimeve të ndërmarra janë intervistuar zyrtarë të IML-së, të cilët kanë qenë kujdestarë në kohën kur ka ndodhur incidenti.
"Prokuroria është në pritje të raporteve me të gjeturat nga ekzaminimet e kryera dhe në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale do t’i ndërmerrë veprimet e mëtjeme konform dispozitave të KPPRK-së", thuhet në komuniktë.
Po ashtu Prokuroria njoftojnë se, Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë.