Konjufca takohet në Washington edhe me zyrtarë të shteteve mosnjohëse
E. Hoti/ RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në margjina të Samitit të Dytë për Demokraci që po mbahet në Uashington, është takuar me kryetarë parlamentesh e zyrtarë të shteteve të ndryshme, përfshirë edhe të shteteve mosnjohëse.
“Pata rastin të zhvilloj një sërë takimesh të frytshme me kryetarë të parlamenteve, deputetë, zyrtarë të lartë dhe personalitete nga Kenia, Gambia, Armenia, Gana, Zambia, Liberia dhe Kosta Rika, disa prej tyre shtete jonjohëse të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Kryeparlamentari Konjufca ka thënë se me përfaqësues të këtyre shteteve ka biseduar për rolin e parlamenteve tona në ndërtim dhe intensifikim të marrëdhënieve dypalëshe.
“Potencova progresin demokratik të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin institucional në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian dhe në NATO. Me përfaqësues të këtyre shteteve biseduam për rolin e parlamenteve tona në ndërtim dhe intensifikim të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët”ka shkruar Konjufca .
Ai ka thënë se ka theksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për kultivimin e miqësisë, zhvillimin e modaliteteve për bashkëpunim në të ardhmen dhe avancimin e raporteve ndërshtetërore me qëllim forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.























