Policia për veturat që u dogjën në Zubin Potok: Kishin regjistruar targat
RTKlive
(E plotësuar) Policia e Kosovës njofton se në stacionin policor në Zubin Potok janë paraqitur dy ankues meshkuj/kosovar të nacionalitetit serb dhe kanë raportuar se gjatë natës, konkretisht rreth orës 02:30, nga persona të panjohur iu janë djegur dy veturat e tyre private me targa të Republikës së Kosovës (RKS), sipas tyre të regjistruara rreth një javë më përpara.
"Palët ankuese raportojnë se veturat e tyre kanë qenë të parkuara e lagjen e tyre, para shtëpive të banimit. Pas pranimit të informacioneve njësitet policore menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore si dhe janë njoftuar ekspertë të zjarrit. Lidhur me rastin janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, është njoftuar prokurori kompetent me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti “zjarrvënie” për procedura të mëtejme hetimore. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen e rasteve të tilla, shtimin e patrullimeve dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim", njofton Policia e Kosovës.
Vela: Dy vetura të serbëve të Kosovës u dogjën në Zubin Potok
Shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela ka reaguar pasi në Zubin Potok janë djegur mbrëmë dy vetura në pronësi të serbëve të Kosovës, që siç thotë Vela duket se ka ndodhur vetëm për shkak të targave RKS.
"Strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë frikësimin e serbëve vendas në Zubin Potok. Mbrëmë dy vetura në pronësi të serbëve të Kosovës janë djegur me sa duket vetëm për shkak se kishin targa të veturës RKS. Sipas marrëveshjes së Brukselit, targat e Republikës Kosovës janë të vetmet targa të veturave legale në të gjithë Kosovën", ka shkruar ai në Twitter.
























