Tri udhëpërshkruese në Ballkan Edith Durham
BKT
Foto/ Lumira Kelmendi
Kulturë

Tri udhëpërshkruese në Ballkan Edith Durham

Lumira Kelmendi|RTK

Antropologe, artiste, etnologe, humaniste dhe mbi të gjitha mike e shqiptarëve, është Edith Durham apo siç e quajnë shqiptarët “Mbretëresha e maleve”, e cila për 20 vjet udhëtoi nëpër Ballkan, duke u fokusuar më shumë në çështjen shqiptare në fillim të shekullit të XX-të dhe ishte njëra nga intelektualet e cila ngriti zërin kundër padrejtësive që iu bëheshin shqiptarëve në atë kohë. Përveç, vlerësimit që i bëjnë shqiptarët, figura e saj ka zgjuar interes edhe tek studiuesit e huaj.

Është Elizabeth Gowing, studiuese e cila po shkon gjurmëve të Durham, veçse kjo në Kosovë, e cila ka shkruar librin “Edith & I”, që është një ndërthurje e udhëpërshkrimit, biografisë dhe jo vetëm dhe studiuesja franceze Jacqueline Derens që pas 100 vjetësh ka përkthyer veprën e Durham “Shqipëria e Epërme” nga gjuha angleze në gjuhën frënge, puna e së cilës ishte frymëzim për të.  

“Kur e zbulova librin “Shqipëria e Epërme”, për të cilin po flasim, mendova që ishte libër i mrekullueshëm, sepse për mua, ishte tejet modern në një mënyrë, e kur u përpoqa të zbuloja për Edit Durhamin si grua, e zbulova një grua të mrekullueshme, që e kishte filluar udhëtimin e saj në Ballkan kur ishte 37 vjeçe”, u shpreh Jacqueline Derens.

Kur Elizabeth Gowing ka filluar të shkruaj një libër për Edith Durham, nuk ka pas botime për të dhe ka vendosur të sjellë librin “Edith & I”, ku përmes rrugëtimit të Edith Durham, mundohet të gjej rrugën e saj, në udhëtimin që ajo ka bërë në Kosovë dhe Shqipëri dhe të tregoj diçka më personale rreth njohjes dhe dashurisë që ka për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi. Ajo, gjithashtu u shpreh “Edhe përkundër faktit që i kam të botuara gjashtë libra, nuk kam arritur të përshkruaj Kosovën në nivelin, siç ka bërë Durham për Shqipërinë.

Përderisa profesoresha e Letërsisë Frënge në Universitetin e Prishtinës Nerimane Kamberi, e ka vlerësuar lartë figurën e Edith Durham, duke e cilësuar si model për kurreshtje dhe guxim për të studiuar kulturën. Ajo ka thënë se “Trashwgiminë e Edith Durham duhet ta përjetësojmë dhe ta njohim më mirë perms librave, ekspozitave etj”.

Në vitin 1908 Edith Durham bëri një udhëtim në Malin e Zi, prej aty në Shkodër dhe pastaj përmes Malësisë së Veriut deri në Kosovë, udhëtim ky i përshkruar në librin e saj më të njohur “Shqipëria e Epërme”, që njëherit mbetet një udhërrëfyes i rëndësishëm i kulturës shqiptare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme tek shqiptarët.

 


MË SHUME NGA Kulturë