Pagat i marrin por mungesa e kuorumit i përcjellë legjislaturat|Video
Arlinda Sejda / RTK
Kuvendi i Kosovës gjatë vitit të kaluar ka shpenzuar mbi 9 milionë euro buxhet. Prej tyre, mbi 6 milionë euro janë shpenzuar për paga dhe mëditje.
Por, shumë shpesh të gjitha legjislaturat janë përballur me mungesë kuorumi ose bojkot të deputetëve serbë.
Mungesa e deputeteve në seanca është evidente kohë pas kohe, por që nga nëntori i vitit të kaluar, deputetët e listës serbe nuk janë parë prezentë në asnjë seancë.
Se kur deputetit mund t'i shpallet mandati i humbur, e shpjegon Instituti Demokratik i Kosovës, i cili në vazhdimësi e monitoron punën e legjislativit.
“Në Kushtetutën e Kosovës - përkatësisht përmbajtja e nenit 70 pohon se deputetit, mandati i humbur mund t?i shpallet në rast të mungesave për 6 muaj rresht në seancat e Kuvendit. Meqenëse as rregullorja e re dhe as Kushtetuta nuk kanë përcaktuar veprime të natyrës së ndërmjetme, që do të mund të ishte ndonjë masë ndëshkimore për mungesa më të shkurtra se periudha gjashtëmujore, veprimi në emër të ndëshkimit, i mbështetur mbi çfarëdo arsyeje, mbetet i papërligjur”.
Burbuqe Kastrati nga Lëvizja Fol, tha se deputet të cilët po i gazojnë përfitimet në këtë formë, po e dëmtojnë buxhetin e Kosovës.
“Ne si lëvizje fol konsiderojmë që deputet janë duke treguar në papërgjegjshmëri ndaj mandatit të tyre sepse direkt po dëmtohet buxheti i republikës së Kosovës" , tha Burbuqe Kastrati, Lëvizja Fol.
Sipas saj, duhet një vullnet politik për ndryshim të ligjit në këtë rast. Ndërsa as në rregulloren e re të kuvendit, e cila është miratuar vitin e kaluar, nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket kësaj çështjeje.























