Haradinaj: Incidentet e fundit në veri, skenar për pengimin e zgjedhjeve
M.Sh/RTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj ka reaguar pas djegies së veturave me targa RKS në veriun e Kosovës. Ai ka thënë se incidentet e fundit në veri janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve të prillit.
Haradinaj ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të fillojnë urgjentisht me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.
“Incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri, janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë. Refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel”, ka shkruar Haradinaj.
Serbia dhe Kosova, sipas tij, duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.
“Presidenti i Serbisë të heqë dorë nga destruktiviteti dhe t’i urdhërojë njerëzit e tij që të heqin dorë nga sulmet e dhunshme”, ka thënë Haradinaj.
Ndër të tjera ai ka kërkuar nga BE dhe ShBA që të shfrytëzojnë gjithë mekanizmat e tyre që ta mbrojnë suksesin e arritur me Marrëveshjen, në të kundërtën angazhimi i tyre do të mbetet përpjeke pa rezultat.
“Njëkohësisht, kërkoj nga BE dhe ShBA që të shfrytëzojnë gjithë mekanizmat e tyre që ta mbrojnë suksesin e arritur me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të sponsorizuar prej tyre, si bazë e fortë e rivendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Kosovës. Në të kundërtën angazhimi i jashtëzakonshëm i të gjitha palëve për këtë marrëveshje, do të mbetej përpjekje pa rezultat”, ka deklaruar Haradinaj.
Nëse marrëveshja nuk reflekton me një normalitet në terren, sipas kreut të AAK-së, efektet e saj do të jenë të papërfillshme.
‘Paqja në Kosovë është e paalternativë dhe inkurajoj të gjitha palët që të jenë të pakompromis në vendosmërinë e tyre për të mënjanuar të gjithë ata që e rrezikojnë edhe marrëveshjen edhe sigurinë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.























