Ndërtesa e vrojtuesit dhe planetariumit të gatshme në shtator 2023
Foto/ RTK
Në Fokus

Ndërtesa e vrojtuesit dhe planetariumit të gatshme në shtator 2023

Valbona Tahiri/ RTK

Lëndët shkencore në arsimin fillor, të mesëm të ulët dhe atë të lartë, shumë herë realizohen vetëm si lëndë në formë teorike, pasi në mungesë të laboratorëve dhe pajisjeve adekuate, ato lëndë nuk zhvillohen në formën praktike.

Një gjë e tillë ndodhë edhe në lëndën e astronomisë e cila lëndë është pjesë e planprogramit mësimor në Gjimnaze. Në Kosovë pas shumë kërkesave për disa vjet, është duke u realizuar ndërtimi i një qendër shkencore për vrojtime astronomike, si dhe planetariumi në fshatin Rashincë të komunës së Shtimes, raporton RTKlive.

Astronomia është shkencë natyrore e cila merret me studimin e objekteve qiellore, planetët, kometat, yjet, galaktikën.

Në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët kjo shkencë është e përfshirë në lëndë të ndryshme, derisa e veçantë ajo mësohet në shkollimin e mesëm të lartë.

Me përfundimin e mësimit teorik, nxënësit do të vazhdojnë të realizojnë punën praktike në oborrin e shkollës, ku nëpërmjet teleskopëve do të vrojtojnë njollat diellore. “E patëm të mundur me i vrojtua edhe njollat e Galileot i cili i ka zbuluar para shumë kohësh”,, tha Vlera Çoçaj - nxënëse e klasës së 12-të. 

 “Teori mbetesh vetëm duke lexuar, në një mënyrë mëson vetëm përmendësh, e duke bërë punë praktike mëson më mirë”, tha Andi Kolshi - nxënës i klasës së 12-të.

Lënda e astronomisë në formën praktike është vështirë e realizuar në shkollat e Kosovës pasi mungojnë teleskopët apo një qendër shkencore për vrojtime astronomike.

Por planetariumi i parë dhe vrojtuesi, tanimë janë duke u ndërtuar në fshatin Rashincë të komunës së Shtimes.

 “Pjesa që është në të majtë është pjesa që do të vrojtohet me teleskopë dhe do të montohet teleskopi në te, janë në fakt dy teleskopë, një është solar për vrojtimin e diellit gjatë ditës dhe një tjetër që është 14 inç dhe ai do të shërbejë për vrojtimet gjatë natës. Ndërsa pjesa virtuale që ne e quajmë planetariumi është një gjysmë sferë prej një lartësie 2.8 metra dhe në atë pjesë do të kemi mundësi të projektojmë trupa qiellor, video që ne e shohim të rëndësishme për sistemin tonë diellor apo edhe për galaktikat”, tha Milaim Rashiti, drejtues i AOK.

Viti 2009 ishte deklaruar si Vit Ndërkombëtar i Astronomisë nga OKB. Qëllimi i të cilit ishte nxitja e interesit në të gjithë botën jo vetëm për astronomi por për shkencë në përgjithësi nga gjeneratat e reja.


MË SHUME NGA Në Fokus