Përfundoi marshi me mesazhin për drejtësi|Foto|Video
BKT
Foto/Video/ Ekipi i RTK-së
Lajme

Përfundoi marshi me mesazhin për drejtësi|Foto|Video

Ekipi i RTK-së

(E plotësuar, ora 15:30) Në Prishtinë, platforma “Liria ka emër”, organizoi Marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.

Në marsh morën pjesë mijëra qytetarë nga qytetet e Kosovës, nga Shqipëria dhe hapësira të tjera të viseve ku banojnë shqiptarët.

Nga marshi u dhanë mesazhe se liria e Kosovës është falë luftës së UÇK-së.  Përmes këtij marshi po ashtu u kërkua drejtësi për shqiptarët që janë vrarë në luftën e vitit 1998-1999, e për të cilët ende nuk ka dënuar dhe se kriminelët sot gjenden të lirë në Serbi, raporton RTKlive.

Po ashtu u kërkua që të zbardhet fati i të zhdukurve që ende mbahet i fshehtë fati i tyre, nga Serbia dhe ende pas 24 viteve familjarët presin me ankth ndonjë lajm për ta.

Në marsh po ashtu morën pjesë edhe familjarët e të akuzuarave të cilët nga të pranishmit u mirëpriten me duartrokitje.

Policia: Marshi në Prishtinë përfundoi i qetë 


Policia e Kosovës me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së marshit të sotëm në Prishtinë, kishte bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore.
 
Njësitet policore janë angazhuar për të mbajtur rendin dhe qetësinë publike, për të garantuar sigurinë e qytetarëve, mbarëvajtjen e marshit, si dhe menaxhimin e trafikut në mënyrë që pjesëmarrësit në marsh të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë të qetë dhe demokratike.
 
"Marshi është zhvilluar i qetë, janë realizuar disa fjalime dhe rreth orës 15:30, çdo gjë ka përfunduar në rregull, ku pjesëmarrësit kanë filluar të shpërndahen të qetë", njofton Policia e Kosovës.
 

​RTK me mision special.

Marshi për drejtësi |Live/Foto/Video

(E plotësuar, ora 15:25) Po mbahet marshi në Prishtinë, në të cilin po marrin pjesë mijëra qytetarë nga të gjitha pjesët e Kosovës.

Krasniqi: Ata janë pasqyra e një rrugëtimi historik e kombëtar

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se me këtë marsh u tregojnë atyre në Hagë se janë me ta. 

“Sot, ballëlartë e me zemër plot, marshojmë krenarë, për ata që dikur marshuan drejt lirisë. Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë. Marshojmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre që sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë për liri. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi dyshim se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë, sepse janë heronj të gjallë, që përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç pavarësisë, s’kanë pasur një projekt rezervë. Sot, ne solidarizohemi me ta, sepse ata janë pasqyra e një rrugëtimi historik e kombëtar, demokratik e qytetërues, por që s’ka përfunduar akoma”, theksoi Krasniqi.

Fjalime ka mbajtur edhe Kjani Guri ish ushtar i UÇK-së dhe vëlla i dëshmorit. Ai tha se UÇK nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale, por ka luftuar për lirinë Kosovës. Ai ka përmendur të gjithë emrat që sot janë në gjykatoren e Hagës. “Ata nuk janë emra të përveçëm, por janë historia e Kosovës”, tha ai.

Edhe Fahrije Hoti nga fshati Krusha, tha se edhe pas 24 viteve të luftës kërkojnë drejtësi dhe se edhe pas 24 viteve është i zhdukur bashkëshorti i saj. Ajo tha se përmes marshit tregojmë se jemi të bashkuar.

Edhe Bajram Çerkini tha se liria ka një emër dhe ajo është UÇK.

Ideatori i platformës "Liria ka emër,' Ismail Tasholli, ka kujtuar kohën kur ka parë përherë të parë ushtarë të UÇK-së.

Tasholli tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlera më sublime që ka krijuar kombi ynë, prandaj sot po marshohet kundër ndryshimit të historisë. “Ju falënderoj nga zemra që i jeni bashkuar thirrjes sonë për drejtësi. UÇK-ja është emëruesi ynë i përbashkët. Është vlera më sublime që kemi krijuar si komb. Ne, si komb, njëzëri, bashkë, marshojmë kundër ndryshimit të historisë. Marrshojmë për drejtësi. Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi fillojnë nesër betejën e radhës. Betejën për të vërtetën dhe drejtësinë. Si gjithmonë, do të na kthehen fitimarë e faqebardhë”, theksoi Tasholli.
 
Ndërsa, Eliza Hoxha u shpreh se UÇK dhe thirrja për drejtësi, sot i bashkon të gjithë qytetarët e Kosovës. “Gjatë këtyre dy javëve, anë e kënd Kosovës, bashkë me Ismajlin e kam rijetuar historinë tonë. E kam ndjerë në dhimbjen e nënes Ferdonije, në guximin e Shyhretes dhe Vasfijes, në stoicizmin e Fahrije Hotit, në qëndresën e bacës Shaban. E kam parë dhe ndjerë sa e gjallë dhe sa e hapur vazhdon të jetë plaga jonë, dhe thirrja për drejtësi. Përulësisht, ju falenderoj nga zemra që jeni me ne sot. UÇK na bashkon. Të gjithëve. Pa dallim. Thirrja për drejtësi na bashkon. E unë jam e bindur se ky shesh do të bucojë sërish, në ditën e kthimit të luftëtarëve tanë”, tha ajo. Hoxha kujtoi prillin e 24 viteve më parë kur qytetarët e Prishtinës ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, për t’u kthyer pas disa muajsh në Kosovën e lirë, pas fitores së luftës së UÇK-së.

“Si sot 24 vite më parë, Prishtina ishte shëndrruar në një qytet fantazmë. Lumi i njerëzve të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre nga ushtria dhe paramilitarët serbe kishte mësyer stacionin e trenit. Ai stacion, që ishte i mbyllur për më shumë se dhjetë vite, u hap atë ditë për të na dëbuar jashtë Kosovës, në një rrugë pa kthim. Po ne u kthyem, e këto sheshe u mbushën prapë, për të festuar clirimin dhe pavarësinë. Si fotografe e re atëbotë, i mbajë mend shkrepjet e fytyrave me lot gëzimi kur të gjithë bashkë, shënonim ato fitore të mëdha.
E këto fitore epokale, do të ishin të pamundur pa guximin, luftën dhe vetëmohimin e pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ajo.

May be an image of 2 people

(E plotësuar, ora 14:42) Qytetarë të shumtë tani më janë mbledhur në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’. Marshi organizohet nga platforma “Liria ka emër” dhe mbahet një ditë para se në Hagë të fillojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Akademiku Arsim Bajrami, i cili po merr pjesë në marsh tha se Kosovës në këtë fazë i duhet kurrë më shumë që të mbrojë historinë e saj.

“Ky është një mesazh civilizues dhe jo ndërhyrje të procesin e gjykatës, dhe shpresoj se ata të lirohen”, tha ai për RTK.

Musa: Të akuzuarve duhet të u ndërpritet masa e paraburgimit

Avokati Skender Musa, tha se të akuzuarve në Hagë duhet të u ndërpritet masa e paraburgimit, pasi që janë duke u shkelur të gjitha dispozitat ligjore dhe normat ndërkombëtare. Ai tha se nuk janë marrë për bazë asnjë normë humane ndaj të akuzuarve.

“Gjykata duhet të shqyrtojë masën e paraburgimit ndaj të akuzuarve”, tha ai për RTK. Sipas tij shumica e dëshmitarëve janë të përgatitur nga Shërbimit Sekret Serb, nga prokuror serb etj. Ai bëri me dije se ka dëshmitarë që janë paguar nga Serbia.

(E plotësuar, ora 13:55) Qytetarë të shumtë kanë filluar të mblidhen në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’. Marshi organizohet nga platforma “Liria ka emër” dhe mbahet një ditë para se në Hagë të fillojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Qytetarë fillojnë të mblidhen në marshin për drejtësi|Live/Foto/Video

 

Hoti: Ata në Hagë janë heronj dhe jo kriminel

Njëri ndër pjesëmarrësit e Marshit, është edhe Andin Hoti, djali i veprimtarit të zhdukur, Ukshin Hoti.

“Ata në Hagë janë heronj dhe jo kriminel siç po i quan kjo gjykatë. Lufta e UÇK-së, ka qenë e pastër”, tha ai për RTK.

Sipas tij marshi që po mbahet në Kosovë dhe ai që do të mbahet në Hagë, janë mesazhe që ata atje nuk janë vetëm. No description available.

Qytetarët fillojnë të mblidhen në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ (Foto)

(E plotësuar, ora 13:10) Qytetarë të shumtë kanë filluar të mblidhen në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’. Marshi organizohet nga platforma “Liria ka emër” dhe mbahet një ditë para se në Hagë të fillojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Sot marshohet për drejtësi

Sot në Prishtinë, platforma “Liria ka emër”, organizon Marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.

Thirrjes për pjesëmarrje në marshin e së dielës i është bashkuar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili në profilin e tij në rrjetin social Facebook ka shpërnda njoftimin për marshim.

Edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ftuar të gjithë qytetarët që t'i bashkohen këtij marshi. Marshit për drejtësi kanë deklaruar se do t'i bashkohen një pjesë e madhe e qytetarëve dhe organizatave të ndryshme.

Ndryshe dje dy ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, kanë mbajtur konferencë për medie, në lidhje me përgatitjet dhe detajet finale për “Marshin për Drejtësi”.

Me këtë rast, ideatorja e kësaj platforme, Eliza Hoxha tha se kanë marrë mbështetje nga shumë qytetarë e akterë politikë të cilët i kanë dalë në përkrahje marshit.

Ajo tha se e është e rëndësishme që të këtë unifikim. “Ne jemi të lumtur që pothuajse të gjitha partitë politike i janë bashkuar marshit.

“Unë besoj që të gjithë kemi arsye për të dal në marsh. Liria ka shumë emra. E vërteta e luftës së UÇK-së është e vërteta e gjithsecilit prej nesh. Ftesat tona për të ju bashkuar marshit kanë gjetur përkrahje të jashtëzakonshme. Kjo mbështetja e pa rezervë tregon nevojën për te dalë në mbrojtje të historisë tonë të lavdishme”, tha ajo.

Ndërkaq, Ismail Tasholli tha se e vërteta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit tonë, është e vërteta e Kosovës, të cilën duhet ta mbrojmë të gjithë.

“Siç e dini, e kemi për mision e qëllim qytetar,  që dinjitetin dhe të drejtën tonë ta mbrojmë me përkushtim, Në këtë rast, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, trashëgiminë e saj historike dhe luftën tonë heroike.Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të imponuar dhe të drejtë për mbrojtjen e jetës së njerëzve, pronës dhe për lirinë e vendit tonë. Këtë të vërtetë duhet ta ruajmë gjithë, sepse është një e vërtetë e çdonjërit. Është e vërteta e Kosovës së djeshme, e të sotmes dhe e Kosovës të së nesërmes”, shtoi ai.

Në mbështetje të këtij marshi ka dalë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Këtë marsh e kanë përkrahur edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ish kryeministri Isa Mustafa, Bashkësia Islame e Kosovës,Imzot Dodë Gjergji-Ipeshkev i Kosovës, Ish-Shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, etj.

Ky marsh organizohet një ditë para se në Hagë të fillojë procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

 

Raportimit të sotëm special për RTKlive i kontribuan: Elmina Osmani, Afet Bela, Valjeta Kosumi, Valbona Thaçi, Hysni Demaku, Arlinda Sejda, Besart Galica, Selim Krasniqi.


MË SHUME NGA Lajme