Kokëlartë para Specialës
Donika SherifiRTK
Marshimi për drejtësi bëhet një ditë para nisjes së gjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Deklaratat hyrëse janë planifikuar të paraqiten nga 3 deri më 5 prill, kurse paraqitja e provave fillon më 11 prill. Por, kjo nuk është përballja e parë me drejtësinë ndërkombëtare për vërtetimin e pastërtisë së luftës çlirimtare, pasi proceset kishin nisur shumë vite më parë në Tribunalin e Hagës.
Storia në vazhdim sjell të përmbledhura momentet që prej arritjes së ish krerëve të UÇK-së në Speciale.
“Jam krenar që kam qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vlerës më sublime të kombit Shqiptar” Hashim Thaqi.
Këto ishin fjalët e fundit të presidentit Hashim Thaçi pak para nisjes për në Hagë. Me njoftimin për dorëheqje, ai foli me krenarinë e një ushtari.
Njëjtë u shpreh edhe kryetari I Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
“Epoka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është pjesa më krenare e jetës sime”.
Kokëlartë si dy bashkëluftëtarët, për përballje me drejtësinë në Hagë njoftoi edhe shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
“Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja”, njoftoi Selimi një natë para se të nisej për në Hagë.
Bashkë në këtë betejë me ta do të ishte edhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, që në kohën e luftës ishte zëdhënës i UCK-së.
5 nëntori i vitit 2020 do të aktivizonte trupat e EULEX-it dhe Policinë e Kosovës. Pas disa orësh qëndrimi në zyrat e EULEX-it, Thaçi, Veseli e Selimi morën rrugën drejt Aeroportit të Prishtinës, derisa një ditë më parë në Hagë veçse kishte arritur Krasniqi.
Pas katër ditësh, më 9 nëntor, Thaçi e Krasniqi dolën për herë të parë para Dhomave të Specializuara, ku u deklaruan të pafajshëm.
“Ritheksoj, akuza është krejt e paqëndrueshme, deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës si të paqëndrueshme” Hashim Thaçi.
“Jam këtu pa të drejtë, unë duhet të jem në vendin tim, në familjen time.., nuk mbaj asnjë përgjegjësi që të tjerët apo dikush tjetër, por unë nuk ndjej asnjë përgjegjësi dhe padrejtësia ndaj meje është tejet e madhe”, Jakup Krasniqi.
Të nesërmen, më 10 nëntor, ishte radha e Veselit për të dhënë qëndrimin e tij.
“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës, më lejoni të deklarohem me bindje të plotë se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës” , Kadri Veseli.
Më 11 nëntor, I pafajshëm u deklarua edhe Rexhep Selimi.
“Lufta e popullit tim ishte e drejtë, çlirimtare, me qëllime të drejta e fisnike, bëmë një luftë të pastër dhe të drejtë, dhe kjo luftë do të jetë e tillë edhe pas këtij procesi sepse secili që ka dyshime do të bindet se as unë e as Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kemi të bëjmë asgjë me krime e as me ndërmarrje të përbashkët kriminale siç cilësohemi padrejtësisht në këtë aktakuzë”, Rexhep Selimi.
Nga atëherë, të akuzuarit dolën disa herë para trupit gjykues.Ndonëse ishte paraparë që gjykimi të fillonte më 1 mars, me pajtim të të gjitha palëve, një gjë e tillë u shty deri më 3 prill. E pas dy vjet qëndrimi në paraburgim, gjykimi ndaj katër të akuzuarve nis të hënën, proces për të cilin është përmendur se do të duhen shumë vite për të përfunduar.
Deklaratat hyrëse janë planifikuar të paraqiten nga 3 deri më 5 prill dhe paraqitja e provave fillon më 11 prill 2023. Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kanë kryer krime prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.























