Mediet ndërkombëtare për Gjykatën e Hagës
Luan Qorraj/RTK
Ky proces ka tërhequr vëmendjen edhe të mediumeve ndërkombëtare, shumë prej të cilave raportuan për fillimin e gjykimit dhe parashikuan proces të gjatë gjyqësor.
Fillimi i procesit të Gjykatës Speciale në Hagë, në të cilin ish-krerët e UÇK ballafaqohen me akuza të ndryshme, ka tërhequr vëmendjen e mediumeve ndërkombëtare.
Rrjeti britanik BBC, ka raportuar se me fillimin e procesit ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës pas publikimit të aktakuzës, si dhe 3 të akuzuarit e tjerë: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë thënë se janë të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzave me të cilat ballafaqohen.
Njëkohësisht njëri prej rrjeteve më të mëdha të lajmeve në botë, Associated Press, në tekstin e
titulluar "Askush nuk është mbi ligjin- hapet gjykimi kundër ish-presidentit të Kosovës" përqendrohet së tepërmi në akuzat kundër Hashim Thaçit dhe 3 të dyshuarve të tjerë, si dhe faktin që fillimi i procesit u prit me protesta masive dhe kundërshtime të mëdha në mesin e popullatës kosovare.
Al Jazeera, në raportin e saj për fillimin e procesit, ka përshkruar detajet e aktakuzës dhe përshkruan faktin se gjykata, në vitin 2015 u themelua, së tepërmi për shkak të presionit ndërkombëtar në lidhje me akuzat për trafikimin ilegal të organeve në rastin e njohur si "shtëpia e verdhë".
Megjithatë, “Aljazeera” cek se këto akuza, mbi të cilat u bazua procesi, as që përmendën në aktakuzën finale kundër , siç i përshkuan “Al Jazeera” ‘katërshes së madhe’ të UÇK-s.
Përderisa “Financial Times” , në tekstin e titulluar "Gjykimi për krime lufte në Kosovë tregon nevojën për përgatitje në Ukrainë", përshkruan shumë prej problemeve me të cilat është ballafaquar drejtësia në lidhje me përndjekjen e krimeve të kryera mbi popullatën civile në Kosovë, si dhe faktit që gjykimet e deritanishme nuk i kanë dhënë pjesës më të madhe të popullatës kosovare ndjenjën e drejtësisë.
“Financial Times”, gjithashtu parashtron problemet e shumta të cilat janë krijuar në kërkimin e drejtësisë në 23 vitet e fundit dhe paralajmëron se, në rast që Kievi dhe aleatët e tij nuk i caktojnë prioritetet me kohë edhe UKraina, në të ardhmën, do të ballafaqohet me të njëjta telashe si Kosova.























