Bislimi: Kemi biseduar për energjinë dhe sekuencimin e marrëveshjeve bazike
BKT
Lajme

Bislimi: Kemi biseduar për energjinë dhe sekuencimin e marrëveshjeve bazike

M.Miftari/RTKlive

Kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi, i cili pati takim me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, si dhe emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, theksoi se pati një dakordim që takimi i radhës në nivel të lartë politik të mbahet më 22 prill, por që kjo datë nuk mund të jetë e sigurt, pasi që ka indikacione që kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk ishte i sigurt nëse mund të vijë në takim në këtë datë, kështu që jemi duke shqyrtuar një datë alternative.

“Ideja është që në këtë datë të prezantohet një draft fillestar i grupit të menaxhmentit, ngase ka pak paqartësi në çështjen procedurale, se kujt duhet drejtuar drafti paraprakisht dhe si duhet të prezantohet”, sqaroi Bislimi.

Ai, mes tjerash, tha se është diskutuar edhe për temat aktuale, sikundër është ajo e energjisë, çështja e targave, si po ecën implementimi, ku Bislimi ka shprehur vërejtjet lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, ngase, siç tha ai, deri në fund të marsit ka pasur një ecje të mirë, por pastaj me fillimin e djegieve të veturave nuk ka pasur vetura të regjistruara.

Lidhur me këtë, Bislimi bëri të ditur se pala serbe ka pasur kërkesa që prapë Kosova të tregojë vullnet të mirë dhe të mos vendosë masa ndaj tyre, por, shtoi më tej ai,  kjo punë ka kaluar dhe çështja e targave nuk mund të diskutohet.

Kryenegociatori Bislimi njoftoi se është biseduar edhe për hapat të tjerë në sekuencimin e marrëveshjeve bazike, siç është marrëveshja për të pagjeturit, e njohjes reciproke të diplomave, mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare  nga ana e Serbisë.

Bislimi palajmëron mundësinë e një takimi mes Kurtit e Vuçiqit në prill

Gjeraqina Tuhina/ RTK/ Bruksel

Në Bruksel ka përfunduar takimi trepalësh në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Pas këtij takimi, ku u diskutua zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, Bislimi ka paralajmëruar për mundësinë e një takimi në nivel të liderëve të të dyja vendeve, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, brenda muajit prill.

Para këtij takimi, Lajçak kishte takuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë ndarazi, ndërsa ishte takuar edhe me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet.

Pas takimeve me Bislimin dhe Petkoviqin, i dërguari evropian, Miroslav Lajçak, ka shkruar në Twitter se, veç zbatimit të marrëveshjes, do të diskutohet edhe për "çështjet aktuale urgjente".

 


MË SHUME NGA Lajme