Khan viziton RTK-në
RTKlive
Urgjan dhe Ahmetxhekaj njoftuan raportuesen e OKB-së me reformat të cilat janë ndërmarrë nga menaxhmenti i RTK-së për ta vënë transmetuesin publik tërësisht në shërbim të publikut.
Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara, Irene Khan u prit sot nga drejtori i Përgjithshëm i RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj dhe nga anëtari i Bordit të RTK-së, Biroll Urgjan.
Khan u interesua nga afër lidhur me punën e transmetuesit publik, respektivisht se çfarë është duke bërë RTK për të përmbushur misionin që ka.
Urgjan dhe Ahmetxhekaj njoftuan raportuesen speciale të OKB-së me reformat të cilat janë ndërmarrë nga menaxhmenti i ri i RTK-së për ta vënë transmetuesin publik tërësisht në shërbim të publikut. Drejtori i Përgjithshëm e informoi Khan me sfidat e mëdha me të cilat po përballet RTK, si rrjedhojë e shkurtimeve buxhetore.
Ahmetxhekaj siguroi raportuesen speciale të OKB-së që drejtuesit e RTK-së janë shumë të përkushtuar në ruajtjen e pavarësisë editoriale të transmetuesit publik të Kosovës.
“RTK është shembull i funksionimit të mirëfilltë të një transmetuesi publik shumë etnik, jo vetëm në rajon por edhe më gjërë”, tha pos tjerash Ahmetxhekaj, gjatë takimit me raportuesen speciale të OKB-së.
Irene Khan pas vizitës që e zhvilloi në Kosovë dhe Serbi, do të mbajë konferencë për media, ku do të shpalosë përshtypjet se ku qëndrojnë këto dy shtete kur flitet për lirinë e medias. Teksa, një raport gjithëpërfshirës, Khan do ta prezantojë në qershor të 2024, në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.























