Krasniqi: Gjenocidi serb në Kosovë, më ka shtyrë të luftoj kundër Serbisë
A.Bela/ RTKlive
(E plotësuar, ora 10:51) Ka përfunduar dita e tretë e seancës gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, në rastin gjyqësor, ku përfshihen katër ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Sot ka paraqitur fjalën Jakup Krasniqi dhe avokatja e tij Venkateswari Alagendra.
Përndryshe seanca në këtë rast gjyqësor do të vazhdojë të martën më 11 prill 2023, duke filluar nga ora 09:00.
Gjykata refuzon kërkesën e mbrojtjes për ndryshim të renditjes së dëshmitarëve
Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të ndryshuar renditjen e dëgjimit të dëshmitarëve. Mbrojtja e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit kërkuan që të ndryshohet renditja, për ta mundësuar dëgjimin e mëhershëm të dëshmitarit numër 3. Kjo është refuzuar nga Gjykata.
Po ashtu, gjykata në fund të seancës i ka kërkuar Zyrës së Prokurorit që të tregojë afatin sa kohë i duhet për të dëgjuar krejt dëshmitë. Ka kërkuar nga Mbrojtja që brenda ditës të përcaktojë periudhën kohores se sa kohë do të marrë marrja në pyetje e 12 dëshmitarëve të parë. Kërkesën e njëjtë gjyqtari e ka pasur edhe për Prokurorinë, por për t’u përgjigjur pas dëgjimit të dëshmitarit të parë.
(E plotësuar, ora 10:45) Po mbahet dita e tretë e seancës gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, në rastin gjyqësor, ku përfshihen katër ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Jakup Krasniqi, në fjalën e tij para trupit gjykues, tha se në vendbanimet shqiptare në Kosovë, regjimi serb kriminal i Millosheviqit, kreu gjenocid duke masakruar fëmijë, gra, pleq.
Ai tha veprimet që i ka bërë Serbia, e kanë shtyrë atë që të marrë vendim që të luftoj. “Ishin vendime vendimtare, në ato momente thash, ‘liri a vdekje’ dhe kurrë më në politikat gjenocidale të Serbisë”, tha ai.
Sipas tij vendimi për të dalë publikisht si zëdhënës i UÇK-së, e kishin bërë që edhe familja e tij të jenë në rrezik të madh nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Krasniqi tha se deklarata e tij gjatë luftës, ishin në funksion të ngjalljes së shpresës, kurse për aktakuzën e ZPS-së, tha se e ka prekur shumë.
Krasniqi: Asnjëherë s’kam kryer krim, jam krenar me veprimtarinë time
Majlinda Aliu/ Hagë/ RTK
(E plotësuar, ora 10:10) Po mbahet dita e tretë e seancës gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, në rastin gjyqësor, ku përfshihen katër ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Jakup Krasniqi ka kërkuar nga trupi gjykues që të mos merren për bazë si prova kundër tij librat e tij, komunikatat që kishin qëllim të propagandonin për të motivuar njerëzit t’i bashkoheshin UÇK, dhe të mos keqpërdoreshin nga ZKP materialet, përfshirë letrat e tij nga burgu. Ai ka përshkruar torturat që ka përjetuar nga regjimi serb dhe pastaj ka shtuar se përmbajtja e aktakuzës së ZKS-së e kanë lënduar më shumë sesa torturat serbe, raporton RTKlive. Gjatë fjalimit të tij ai ka përmendur angazhimin e tij në LDK dhe e ka quajtur absurde akuzën që ai mund të ketë qenë kundër LDK-së. Krasniqi ka ripërsëritur pafajësinë e tij duke thënë se asnjëherë s’ka kryer asnjë krim dhe është krenarë me gjithë veprimtarinë e tij.
“I nderuar kryetar i gjyqit, i kam edhe tri lutje për trupin tuaj gjykues: Lutja e parë: Mos lejoni që të keqpërdoren mendimet e opinionet individuale të pasluftës për kohën e luftës. Kërkesa e dytë: Mos lejoni që shënimet e mia për shkrimet e librave të mia shkencore dhe publicistike të përdoren si dëshmi për vepër penale siç pretendon ZPS-ja. Dhe, e treta për komunikatat: Unë po lexoj atë që është thënë në aktgjykimin për lirimin e Fatmir Limajt në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës. Komunikatat si material propagandistik ishin rritja e respektit për UÇK-në dhe aktivitetet e saj, me qëllim që njerëzit të besonin në të dhe të anëtarësoheshin’. E njëjta gjë thuhet edhe në aktvendimin lirues për z. Ramush Haradinaj. Ju lus që materialet të mos keqpërdoren sepse unë mendoj që shënimet e mia për të shkruar libër, Prokuroria i ka keqpërdorur skajshmërisht”, tha Krasniqi.
Avokatja: Jakup Krasniqi la ëndrrat e tij për të luftuar për Kosovën
A.Bela/ RTKlive
Mbrojtësja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka filluar prezantimin, duke thënë se Jakup Krasniqi u detyrua 25 vite me parë që të luftoi kundër regjimit serb dhe këtë e bëri për të ardhmen e Kosovës.
“Regjimi që ai po luftonte ishte regjim që shkaktoi kaos dhe lot, ky regjim shkaktoi edhe gjenocidin në Sebrenicë”, tha ajo para trupit gjykues, raporton RTKlive.
Sipas saj, roli i Jakup Krasniqit si zëdhënës i UÇK-së, është i njohur publikisht për 25 vjet dhe se deklaratat e tij në mbështetje të UÇK-së u bën publike. Ajo tha se Jakup Krasniqi nuk ka përdorur asnjë pseudonim, por të gjitha ai i ka bërë publike.
Alagendra theksoi e Prokuroria ka dështuar në çështjen e Jakup Krasniqit dhe se ka bërë gabime në këtë proces. Ajo ka folur për kronologjinë e veprimtarisë së Jakup Krasniqit dhe rolin e tij në UÇK.
“Zëdhënësit nuk përfshihen në çështjet operacionale ushtarake, roli i tyre është kontakti me marrëdhëniet me publikun dhe ky ishte roli i Jakup Krasniqit”, tha ajo.
Sot në Speciale fjalën e ka mbrojtja e Krasniqit
Sot fjalën e saj do të thotë mbrojtja e Jakup Krasniqit. Në seancën e cila do të fillojë në orën 09:00 sipas kohës lokale në Kosovë, por që sinjali i transmetimit vjen për 45 minuta me vonesë, për shkaqe sigurie, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Mbrojtës të Krasniqit janë: Venkateswari Alagendra (Mbrojtëse), Eidën Elis dhe Viktor Bëjeshu (Bashkëmbrojtës).
Bazuar në kalendarin e Dhomave të Specializuara, seancat në rastin “Thaçi e të tjerët” do të vazhdojnë edhe me 5 prill, pastaj me 11, 12, 13 dhe 17, 18, 19 e 20 prill, raporton RTKlive.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë më 3 prill para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022). ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021. Më 23 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshim të aktakuzës me qëllim që të përfshijë një numër akuzash të reja, konkretisht qendra ndalimi të tjera në komunën e Suharekës, incidente të reja të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme në Gjilan, si dhe incidente të reja të pjesëmarrjes personale të të akuzuarit në krimet për të cilat akuzohet.
Pas hedhjes poshtë të apeleve të Thaçit dhe Veselit kundër këtij vendimi prej Panelit të Gjykatës së Apelit më 22 mars 2022, ZPS-ja dorëzoi versionin e redaktuar publik të aktakuzës së ndryshuar më 29 prill 2022.
Më 22 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi, pjesërisht, kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit dhe gjithashtu urdhëroi ZPS-në që, deri më 30 shtator 2022, të parashtrojë aktakuzën e ndryshuar më tej, me informacion shtesë lidhur me akuzat aktuale. Informacioni shtesë ka të bëjë me emrat e autorëve të drejtpërdrejt të krimeve, viktimave dhe vendodhjeve përkatëse në paragrafet konkrete në aktakuzën aktuale.
Më 29 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për tërheqjen nga aktakuza të pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt dhe urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila u dorëzua më 30 shtator 2022. Një version më pak i redaktuar i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Aktualisht, kjo është aktakuza në fuqi për këtë çështje.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.