KPK kërkon dekretimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit
BKT
Lajme

KPK kërkon dekretimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit

B. H. / RTKlive

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka parashtruar sot kërkesën tek presidentja e vendit, Vjosa Osmani për dekretimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Kjo kërkesë është bërë duke marrë parasysh se janë shterur të gjitha rrugët ligjore që kanë rezultuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim. Andaj, duke vlerësuar lart angazhimin e Zyrës së Presidentes në tërë këtë proces dhe rolin e saj si garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, si dhe duke besuar në qëndrimin e përbashkët që të kemi institucione me funksionalitet të plotë, KPK-ja ka kërkuar që procesi i dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit të trajtohet me urgjencë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Sipas KPK-së dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit është esencial për sistemin prokurorial dhe në përgjithësi për sundimin e ligjit në vend.

“...andaj shtetit dhe institucionit tonë i nevojitet Kryeprokurori i Shtetit me mandat dhe fuqi kushtetuese dhe ligjore”, thuhet tutje në komunikatën e KPK-së.

Isufaj ishte votuar unanimisht nga KPK-ja për Kryeprokuror të Shtetit qysh para një viti, por procesi i dekretimit të tij ka ngecur për shkak të ankesave në procesin e përzgjedhjes së tij. 

Sipas organizatave joqeveritare që monitoruan  përzgjedhjen e kryeprokurorit, ky proces kishte shumë parregullsi, derisa ndaj këtij procesi kishin reaguar edhe ambasada britanike dhe ajo gjermane.


MË SHUME NGA Lajme